Bllokimi i Rinasit, Rama akuza opozitës dhe Metës: Duan të marrin vendin në dorë dhe unë jam pengesa

08/04/2021 16:45

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Gjirokastrës, nga ku ka komentuar edhe një herë ngjarjen e ndodhur në aeroport, ku kontrollorët e AlbaControl që lanë punën dje, krijuan një situatë të rëndë në aeroportin e Rinasit.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si të paimagjinueshme atë që ka ndodhur në aeroportin e Rinasit, e ndërsa thotë se këtë e ka bërë Ilir Meta dhe Sali Berisha, por jo se kanë inat atë, por popullin. Por, sipas Kryeministrit PS është: “muri që i pengon ata të na kthejnë mbrapsht”.

Ai përsëriti se qëllimi i tyre ishte për të bllokuar vaksinat dhe për të krijuar kaos.

Rama thotë më tej se populli shqiptar është shumë inteligjent dhe ka një instinkt politik të jashtëzakonshëm, duke shtuar se ai nuk ka gabuar asnjëherë në vendimet e tij.

Rama: Ju e patë çfarë ndodhi dje, e paimagjinueshme por shumë domethënëse, bllokohet aktiviteti jetik i të gjithë qarkullimit ajror të vendit në pretendimin në dukje, sidoqoftë për t’u rrëqethur mishi, jemi stresuar se i kemi pagat 2400 dollarë, por me qëllimin për të marrë peng popullin, për të krijuar kaos përmes dëshpërimit dhe revoltës duke përdorur elementë, mjeshtra të rrëmujave dhe për të bllokuar vaksinimin që të krijohet një mjegull e madhe. Si mund ti bëhet kjo vendi? Ata në fakt nuk e kanë me mua, e kanë me ju, e kanë me njerëzit me vendin, sepse duan që ti marrin gjëra në dorë për t’ju kontrolluar juve për hesapet e tyre, unë jam vetëm pengesa midis jush dhe atyre. Jam pengesa që ata të bëjnë çfarë të duan. PS është muri që i pengon ata të na kthejnë mbrapsht. Ata nuk i kemi përballë i kemi mbrapa duke u përpjekur të na kapin nga xhaketa dhe të na frenojnë, ne do të vazhdojmë të ecim më shpejt përpara për t’ja dalë. Nuk vendoset se kush do qeverisi, vendoset si do jetë Shqipëria e kësaj dekade, kur ju të gjithë sapo të keni krijuar familjet tuaj. A do të jetë Shqipëria që po ndërtohet si këtu në Gjirokastër apo ajo që do të ringrihet edhe një herë nga e para, sepse edhe një herë ra nga kuturisjet. Zgjedhja është e njerëzve por detyra jonë është që të rrimë pranë njerëzve, të besojmë te ata, sepse populli është më i mençur nga të gjithë ne, Asnjë nga ne nuk është populli. Populli është si energjia gjithë inteligjencës emocionale të një bashkësie. Ata që i thonë popullit shqiptare dele janë thjesht qenie të humbura në pyllin e injorancës, por që para është populli që ka një instinkt për të kuptuar se çfarë duhet të bëjë sot për të garantuar të nesërmen. Nuk do gaboj as këtë herë, ne do të dëgjojmë me vëmendje vendimin e tij. Gjëja që duhet të bëjmë është të flasim me ata individë që janë pjesë e kësaj inteligjence dhe të kërkojnë votën për ta bërë Shqipërinë në të ardhmen tonë. Çka kemi bërë ne nuk mjafton për të thënë që jemi mirë. Çdo ankesë e çdokujt e besoj se është legjitime, kanë të drejtë. Askujt nuk i thuhet s’ke të drejtë. Kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, kanë të drejtë të thonë se do bëhet kjo e kjo. Është një garanci që në këtë vend ka vetëm një forcë, mund të dalin të tjera nuk e di, por sot ka vetëm një forcë që i garanton njerëzit se e dim se si dhe se ku do shkojmë atje. Drejtimi është i qartë, tani është vetëm puna, puna, puna.

Ka zgjatur pak më shumë se 24 orë bllokimi total i aeroportit të Rinasit. Nga sot do të nisin fluturimet e esenciale në aeroportin e ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një deklaratë për mediat nga Rinasi, tha se do të nisin fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore. Ndërkohë duke filluar që nga dita e nesërme situata në aeroportin e Rinasit do të kthehet në normalitet dhe do të rinisin fluturimet komerciale me udhëtarë.

Top Channel