Policia e Tiranës ka në dorë provat ku grevistët e “Albcontrol” urdhërojnë mbylljen e kullës. Në përgjimet e një grupi Whatsapp-i, mes kontrollorëve, shtetasi me emrin Klesti shkruan “Mbylle Kullën.

Kaq ka mjaftuar që policia të ndalojë 3 persona, Armando Fezgën, kreun e sindikatës së kontrollit të trafikut ajror, Flora Ndrëcën, përgjegjëse turni dhe Muhir Mezinin.

Ndalimi i tyre,u bë me kërkesë të prokurorisë së Tiranës, pas hetimit që nisi mbrëmjen e së mërkurës për situatën alarmante të krijuar në Aeroportin e Rinasit.

Ata akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi nga deklarimet është provuar që të tre të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për pune, me qëllim shmangien nga detyrimet ligjore.

Sipas oficerëve të policisë gjyqësore, Fezga, Ndreca dhe Mezini, me veprimet që kanë bërë në datën 6 dhe 7 prill, kanë sjellë pasoja duke nxjerre jashtë funksioni kullën dhe aeroportin nënë Tereza. Në procesverbal, po ashtu thuhet se këta shtetas kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të udhëtarëve.

Në total, në polici u shoqëruan 28 persona, por 25 prej tyre u lanë të lirë pas deklarimeve që dhanë.
Avokati i të arrestuarve, Rezart Kthupa, u shpreh se akuza e ngritur ndaj tyre nuk qëndron:

“ Unë gjykoj që nuk mund të ngrihet një akuzë për shpërdorim detyre ndaj një punonjësi të një shoqërie anonime. Do të duhej të ishte punonjës i një administrate shtetërore”.

Tre të ndaluarit, procesverbalet i kanë firmosur me kundërshtimet e tyre, pasi i kanë konsideruar si sajesa të asaj që është realitet, apo keqinterpretim të mesazheve të dërguara në whatsapp.

Top Channel