Xhako sqaron si do shpëtoni njëherë e mirë nga telefonatat e padëshiruara të marketingut

07/04/2021 09:15

Pa marrë asnjë autorizim paraprak, bizneset telefonojnë në çdo kohë dhe ofrojnë blerjen e produkteve apo shërbimeve të ndryshme. Për të rregulluar këtë çështje, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përgatitur një projektligj “Për krijimin e Regjistrit të komunikimeve tregtare të pakërkuara”.

Në këtë Regjistër, do të identifikohet çdo subjekt tregtar që realizon komunikime tregtare të pakërkuara për qëllime marketingu të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e tij, dhe nga ana tjetër të gjithë personat, të cilët me pëlqimin e tyre, regjistrohen në Regjistër, me qëllim që të mos jenë subjekt i komunikimeve tregtare të pakërkuara.

E ftuar në “Wake Up”, drejtoresha e Çështjeve Juridike dhe Integrimit në KDIMDP, Blerta Xhako tregoi si do funksionojë ky regjistër.

“Secili nga ne është gjendur dhe kontaktuar të paktën njëherë nga subjektet tregtare, që kanë pasur si qëllim promovimin e një produkti të caktuar. Ajo që doja të sqaroja se ky është një projektligj i ri, pra nuk është se kemi ndërhyrë në një ligj aktual.

Ka pasur patjetër një iniciativë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por ka qenë në nivelin e një rregulloreje dhe jo një ligj i hartuar.

Regjistri “Mos me telefono” është pikërisht regjistri, i cili do të ketë patjetër një administrator. Është konceptuar në formën e një baze të dhënash të grumbulluar vullnetarisht, nga të dhënat e qytetarëve, të cilët kanë dëshirë që të mos kontaktet nga subjektet tregtare për qëllim marketingu, sondazhesh etj.

Duke u bërë pjesë e këtij regjistri, automatikisht përjashtohen nga këto thirrje”, theksoi ajo.

Top Channel