SHBA: Zgjedhje me standarde të larta/ Palmer: Duam që njerëz me influencë të ndëshkohen. Kjo është llogaridhënia

07/04/2021 12:18

Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer tha se për SHBA në 25 nuk ka rëndësi kush parti politike apo kandidat fiton por se si do të trajtohet vullneti shqiptarëve.

“ Diskutuam mbi zgjedhjet që po vijnë, rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë garantimit që zgjedhjet të ishin të lira dhe transparente dhe të zhvilluara sipas standardeve më të larta demokratike; që listat e kandidatëve të ishin të pastra; që ata të cilëve nuk iu duhen besuar poste me përgjegjësi të mos përfshiheshin në listat e kandidatëve; rëndësinë që ka që të sigurohet besim i publikut shqiptar në rezultatet e zgjedhjeve; që të kenë besimin që rezultatet pasqyrojnë vullnetin e elektoratit; që qeveria që del nga zgjedhjet është një shprehje legjitime e vullnetit të popullit. Është e rëndësishme që zgjedhjet e 25 prillit të jenë të suksesshme, jo në kuptimin e fitores së një partie të caktuar apo një kandidati të caktuar, por të suksesshme institucionalisht, nga pikëpamja e procesit dhe strukturalisht, në mënyrë që të shihen si të drejta dhe transparente dhe të ofrojnë një rezultat që pasqyron vullnetin e atyre që dolën për të votuar dhe ushtruar të drejtat e tyre demokratike.”

I pyetur nga Top Channel se cfarë detajesh specifike ka SHBA për përfshirje të Tom Doshit, zoti Palmer u tregua i kujdesshëm, por theksoi se lista e kandidatëve që kanë përpara shqiptarët është ende larg perfektes.

“ Nuk dua të përfshihem në hollësitë e rasteve të veçanta, personave të veçantë apo çështjeve të veçanta këtë moment. Por dua të theksoj se ata që identifikojmë për sanksione sipas këtyre lloj rregullave, përfshi sanksionet që i ndalojnë të mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara, ne e bëjmë mirë punën tonë kërkimore. Sigurohemi që kemi bazën e njohurive që na duhen përpara se të marrim një vendim të tillë. Listat jan larg të qenit të përsosura. Ka ende shumë punë për të bërë. Dhe mendoj se Ambasadorja Kim dhe ambasada kanë qenë shumë të qartë për të identifikuar ato fusha ku ne vazhdojmë të kemi shqetësime.”

Matthew Palmer qëndroi larg debateve të brendshme të Shqipërisë për vaksinën Ruse dhe Kineze megjithatë theksin e vendosi në detyrën e qeverive për të bërë më të mirën për qytetarëve.

“ Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që të ketë akses në vaksina kudo në botë. Ne kemi zgjedhur ta bëjmë këtë kryesisht dhe në radhë të parë përmes mekanizmave shumëpalëshe si COVAX, GAVI. Kjo po fillon të jape fryte. Po shihni vaksinat të arrijnë, jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor, me anë të COVAX, GAVI. Mendoj se kinezët, dhe sidomos rusët, kanë zgjedhur të luajnë një lloj diplomacie vaksinash ku e përdorin aksesin në vaksina si një lloj instrumenti politik. Sinqerisht e shoh pak të çuditshme. Mendoj se secili vend duhet të bëjë më të mirën që mundet për t’u siguruar që kujdeset për shëndetin publik të qytetarëve të vet. Dhe kjo do të thotë të shohësh mirë se çfarë vaksinash janë të dispozicion dhe të aksesueshme, duke parë të dhënat, duke vendosur si vend i pavarur, si qeveri, nëse të dhënat mbështesin miratimin e një vaksine të caktuar apo jo. Përzierja e përshtatshme e vaksinave është diçka që varet vërtet nga qeveria shqiptare, nga autoritetet kompetente në Tiranë që ta përcaktojnë. Shtetet e Bashkuara janë aty në partneritet me Shqipërinë dhe të gjithë botën. Dhe mekanizmi ynë kryesor është COVAX.”

Duke folur për punën e SPAK, Palmer tha se është bërë progres dhe parashtroi pritshmëritë e SHBA.

“Është bërë përparim. Ka vërtet shumë për të bërë. Dhe ajo që duam të shohim është që figurat e fuqishme, njerëzit me ndikim, njerëz që në të kaluarën kishin një pritshmëri se do të ishin të mbrojtur, të japin llogari. Duhet të ketë ndjekje penale. Duhet të ketë dënime. Ata q ë dënohen duhet të kryejnë dënimet. Këtë pamje ka llogaridhënia dhe gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Mendoj që prirjet e përgjithshme janë në drejtimin e duhur por jemi të paduruar. Dhe besoj që populli shqiptar është i paduruar. Dhe do të donim të shihnim që përparimi në këtë fushë të përshpejtohet dhe të bëhen shembuj.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA