Dy persona janë arrestuar pasi vranë në Greqi një vit më parë një 43-vjeçar nga Korça.

Orgel Xhambazi dhe Medi Ganolli janë arrestuar ne Korçë gjatë operacionit policor të koduar “Radaneci 2021”, pas hetimeve disa mujore të kryera nga   DVP Korçë me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

24-vjeçari dhe 32-vjeçari banues në Korçë janë të dy të dënuar më parë për vjedhje.

Nga kjo ngjarje është arrestuar në Greqi në datën 21.07.2021 Romarjo Tahiri.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Korçë

Vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë së Shtetit, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale kundër personit.  Finalizohet pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Radaneci 2021”. Dokumentohet me prova ligjore autorësia edhe e dy bashkëpuntorëve të tjerë të ngjarjes së  ndodhur 1 vit më parë në Selanik, Greqi, ku mbeti i vrarë një 43-vjeçar nga Korça. Për këtë ngjarje është arrestuar më parë nga autoritetet policore greke, shtetasi R. T. Operacioni i kryer nga strukturat policore të DVP Korçë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.  Vihen në pranga 2 nga autorët e dyshuar të ngjarjes. Strukturat policore në DVP Korçë, me mbështetjen e strukturave hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, në vijim të hetimeve disamujore të kryera për dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 18.05.2020, në Selanik, Greqi, ku pas një konflikti të çastit mbeti i vrarë 43-vjeçari S. D., nga Korça, finalizuan operacionin policor të koduar “Radaneci 2021”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve O. Xh., 24 vjeç dhe M. G., 32 vjeç, banues në Korçë (të dy të dënuar më parë për vjedhje).  Këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, pas një konflikti të çastit, kanë vrarë me mjet të mprehtë (thikë), në Selanik, shtetasin S. D.  Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

 

Top Channel