Autostrada do të bllokohet për punimet/ Do nisnin sot, shiu shtyn planet, do të riparohen pjesët e dëmtuara

07/04/2021 15:30

Këtë të mërkurë ishte parashikuar që të niste riparimi i shtresës së asfaltit në autostradën Tiranë-Durrës, ashtu siç Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte njoftuar, por për shkak të motit të keq punimet janë shtyrë.

Janë punime, të cilat pritet të zgjasin deri në datën 21 prill dhe do të jenë të ndara në dy faza. Faza e parë parashikon riparimin e segmentit nga Qafa e Kasharit, pra nga mbikalimi i Rinasit deri në hyrje të Durrësit, tek Ura e Dajlanit. Ndërsa faza e dytë, do të jetë riparimi i kahut tjetër të rrugës, pra nga Ura e Dajlanit deri në Qafë Kashar. Por si do të bëhet devijimi i lëvizjes së automjeteve?

Dita e parë e punës nis me segmentin Qafë Kashar-Vorë.  Drejtuesit e automjeteve do të duhet të devijohen në dëgëzimi për në Rinas dhe më pas të hyjnë në rrugën dytësore.

Në ditën e dytë, automjetet do të devijohen në Vorë, pranë mbikalimit të këmbësorëve dhe do të ndjekin rrugën dytësore, për të hyrë në rrugën e vjetër, Vorë-Maminas. Në ditën e tretë do të riparohet pjesa e rrugës nga Maminasi drejt Sukthit. Makinat do të lëvizin në rrugën dytësore drejt Sukthit.

Në ditën e katërt, do të riparohet pjesa nga Sukthi drejt Shkozetit. Edhe këtu mjetet do të duhet të lëvizin nëpërmjet rrugës dytësore. Ndërsa në ditën e pestë, do të riparohet segmenti nga Shkozeti tek ura e Dajlanit. Itinerari i njëjtë, vijohet përsëri lëvizja nëpërmjet rrugës dytësore, ku atomjetet do të kthehen në degëzimin e Shkozetit.

Ndërkaq, devijimi i lëvizjes për fazën e dytë, do të bëhet përsëri sipas të njëjtit grafik, duke ndjekur rrugët dytësore në drejtim të Tiranës, por që mund të ndryshojnë në varësi të motit.

Top Channel intervistoi edhe zv.drejtorin e ARRSH-së, Erjon Koka, i cili tha se rehabilitimi i autostradës është pjesë e kontratës me Bankën Botërore, por që pëfundon në fund të këtij vitit.

Ndërkaq, policia dhe autoriteti rrugor, i kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të ndjekin rrugë alternative për të shmangur trafikun, siç është rruga e Ndroqit për të hyrë dhe dal nga Tirana.

Top Channel