Zgjedhjet e 25 prillit/ Palmer pas bisedave me Ramën, Bashën e Metën: Kandidatët duhet të jenë të besueshëm. Reforma në drejtësi, ende punë

06/04/2021 18:59

Shprehja “Big Brother po ju vëzhgon”, aktualizohet gjithnjë e më shumë për klasën politike shqiptare kur kanë mbetur edhe tre javë nga shprehja e vullnetit të shqiptarëve përpara kutive të votimit.

Këtë e ka paralajmëruar ambasada amerikane përmes një mesazhi në Twitter ku thuhej se “Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer do të zhvillonte sot një “vizitë virtuale” në Shqipëri”.

Ai zhvilloi një takim me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ku diskutuan mbi përparësitë e SHBA, përfshirë pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit.

Zoti Palmer më pas bisedoi edhe me gazetarët shqiptarë për të dhënë mesazhet e tij. Ai u shprehu se në këtë takim është diskutuar për shtimin e marrëdhënieve të sigurisë, rëndësinë e zgjedhjeve për standarde të larta dhe kandidatë të pastër.

“Folëm për shtimin e marrëdhënieve të sigurisë, rëndësinë e zgjedhjeve për standarde të larta dhe kandidatë të pastër. Rëndësinë e sigurimit të koincidencës për qytetarët për rezultatin e zgjedhjeve. Ne shpresojmë që në qershor të shohim mbledhjen e parë ndërqeveritare. Duam zgjedhje të suksesshme që pasqyrojnë vullnetin e shqiptarëve”, është shprehur ai.

Pyetur nga Top Channel për kandidimin e Tom Doshit, Palmer tha se Kim ka qenë mëse e qartë në deklaratat e saj, se kandidatët duhet të jenë të besueshëm. Ai thotë se më e rëndësishmja është të ketë zgjedhje transparente si dhe të vijojë Reforma në Drejtësi.

“Nuk dua të hy në detaje. Për të indentifikuarit me probleme ne bëjmë kërkimet tona dhe jemi të sigurtë. Listat e kandidatëve nuk janë perfekte. E rëndësishme ajo çfarë ka thënë Yuri Kim. Ata që kandidojnë duhet të jenë të besueshëm. Yuri Kim ka qenë e qartë në deklaratat e saj. Ka pasur progres në Shqipëri në reformën në drejtësi, por ka ende shumë punë për të bërë. Ne kemi detyrë të jemi të qartë me Shqipërinë. Ne duam një Shqipëri gati për në BE. Progres është bërë ka shumë për të bërë. Ne duam njerëz me influence të ndëshkohen. Kjo është llogari dhënia. Po ecet në drejtim e duhur. Ne duam progres të shtuar dhe me shembuj në këtë fushë. Reforma në drejtësi do të vazhdojë ka ende për të sjellë rezultate”, u shpreh ai.

Zv/ndihmës amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka folur për vaksinat në Shqipëri dhe zgjedhjen që ka bërë qeveria e Ramës për të marrë prodhimet ruse e kineze. Palmer thotë se zgjedhja i përket Shqipërisë dhe se SHBA nuk ndërhyn në punët e brendshme.

“Çdo vend të bëj më të mirë për shëndetin e qytetarëve duke parë çfarë vaksinash janë të sigurta dhe të dhënat që vinë për këto vaksina. Është çështje e Tiranës qeverisë të vendosë për këtë. Ne s’ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendeve”, është shprehur ai.

Zyrtari i lartë i SHBA foli edhe për marrëdhëniet me Presidentin Ilir Meta, i cili nuk i ka kursyer sulmet kundër ndërkombëtarëve sa herë që ka folur për Reformën në Drejtësi.

“Me Ilir Metën kam një marrëdhënie të shkëlqyer personale. Flasim hapur. SHBA është në të njëjtën anë, është me Shqipërinë. Ne nuk mbajmë anë të asnjë pale politike” tha ai.

Duke folur për punën e SPAK, Palmer tha se është bërë progres dhe parashtroi pritshmëritë e SHBA.

Top Channel