SHBA, demokratët propozojnë ndryshime në ligj: Të rriten taksat e korporatave

06/04/2021 14:00

Demokratët në komisionin e senatit për Financat, në SHBA, propozojnë ndryshime të mëdha në ligjin e ish-presidentit Trump për reforma në kodin fiskal, në mënyrë që të eleminohen ato që i cilësojnë si subvencione për korporatat që të zhvendosin një pjesë të aktivitetit në vende të tjera për të shmangur taksat.

Plani vjen në një kohë kur Presidenti Biden ka propozuar rritje të taksave mbi korporatat për të financuar planin e tij infrastrukturor prej 2 trilionë dollarësh.

Senatorët kanë vënë në shenjestër disa klauzola të ligjit që specifikon se si taksohen të ardhurat e korporatave nga aktiviteti i kryer jashtë Shteteve të Bashkuara.

Synimi i ligjit të ish-Presidentit Trump ishte që kompanitë të mund të kthenin në SHBA fitimet që kishin bërë jashtë vendit me përqindje më të ulëta taksash, me shpresën se do t’i investonin këto fitime në tregun amerikan. Por, siç thonë demokratët, në praktikë këto klauzola shërbyen si nxitje që kompanitë të investonin më tepër jashtë vendit për të shfrytëzuar përqindjet më të ulëta të taksave.

Pritet që propozimi të ndeshë rezistencë të fortë nga republikanët, të cilët kanë kritikuar edhe planet e Presidentit Biden për të rritur taksat mbi korporatat, duke ngritur shqetësimin se këto masa ulin aftësinë e këtyre kompanive për të konkuruar. Biden ka propozuar rritjen nga 21 në 28% të taksës mbi korporatat si dhe ka ngritur idenë e një takse globale minimale që do të negociohej mes ekonomive kryesore të botës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA