Përdorimi i fëmijëve në fushata elektorale/ Pastori, Akil Pano: Po trafikohen të miturit, politika po shkel të drejtat e tyre

06/04/2021 15:31

Gjatë fushatave elektorale, shpesh i kemi parë fëmijët, pranë politikanëve dhe kandidatëve për deputet.

Por, sa normale janë këto pamje, ku politikanët postojnë foto dhe video, me fëmijë krah tyre? Pastori Akil Pano, i ftuar në emisionin “Shqipëria live”, thotë se “po trafikohen fëmijët, duke u përdorur nga politika”.

Askush nga partitë, në këto tre dekada, nuk ka pasur elemente përbërës, që ndihmojnë botën e fëmijëve. Nuk ka më parqe, nuk ka më kënde lojërash. Mirë që këto nuk janë, por dhe shfrytëzojnë imazhin e tyre.

Drejtori i përgjithshëm i qendrës për të drejtat  e fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj, thotë se fëmijët, në këto takime partiake, trajtohen si kukulla. “Është e rëndë që fëmijët trajtohen si të jenë kukulla. Këta politikanë dalin me fëmijë në krah, por zëri i tyre nuk dëgjohet asnjëherë. Politikanët  e dinë që imazhet me fëmijë shiten”.

Hazizaj i bën thirrje prindërve, të mos lejojnë, që fëmijët të ,marrin pjesë në mbledhje, që nuk janë për ta. “Kur ka filluar fushata elektorale, kemi dalë me deklaratë, dhe kemi thënë që çdo momente që qytetarët mendojnë se fëmijët po përdoren, të na kontaktojnë. Na kanë dërguar disa ankesa. Ne kemi bërë thirrje, që në vendet  e rrezikshme për fëmijët të mos marrin pjesë ose të ketë kënde të veçanta”.

Sipas tij, politikanët përdorin imazhin e fëmijëve, por fëmijët e tyre, nuk i nxjerrin asnjëherë në publik. “Fëmijët  e këtyre politikanëve ku janë, që t’i përqafojmë dhe ne siç bëjnë ata??

Avokatja, Migena Balla, thotë se prekja e fëmijëve është shkelje e të drejtave të fëmijëve. “Nuk ka të drejtë politikani të prekë fëmijën tim, është shkelje absolute e të drejtave. Në vendet e huaja, prindërve u hiqet kujdestaria, sepse lejojnë një person të tretë të prekë fëmijën e tyre”.

Ndërkohë, Erion Kristo, e quan krim këtë fenomen. “Ky është një krim elektoral, ndodhi gjatë tërmetit, gjatë pandemisë. Nëse politikanët tanë kanë vetëpërmbajtje në asnjë fushë të jetës, te fëmijët duhet ta kenë patjetër. Tubimi politik nuk është vendi ku fëmija duhet të jetë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA