Në një ceremoni të reduktuar për shkak të pandemisë, Vjosa Osmani mori zyrtarisht detyrën e presidentes sot. Ajo parakaloi para trupave ushtarake, e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy vajzat e saj ndërkohë që takimi i parë si presidente ishte me xhudistët kosovarë

Presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani, mori të martën detyrën e re në një ceremoni të shkurtër, dy ditë pasi që parlamenti 120 vendesh i Kosovës e zgjodhi atë me 71 vota.

Pas uljes në detyrë, dy takimet e para të Osmanit ishin me xhudistët kosovarë, të cilëve i shprehu mirënjohjen, duke u thënë se kanë qenë ambasadorët më të mirë të vendit, dhe me një grup matematicienësh, të cilëve ajo u tha se arsimi do të jetë prioritet mbi prioritetet.

Zgjedhja e presidentes shënoi edhe përfundimin e procesit të ngritjes së institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat fituese doli “Lëvizja Vetëvendosje”, e cila edhe e kandidoi Osmani. Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, e cila ka 58 vende në parlament, iu deshën votat e pakicave kombëtare joserbe dhe pjesëmarrja në votim e Lidhjes Demokratike për të siguruar zgjedhjen e presidentes, votimi për të cilën u bojkotua nga dy partitë tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndonëse posti i presidentit në Kosovë është më shumë ceremonial, Osmani megjithatë luan rol të rëndësishëm në politikën e jashtme, në kuadër të së cilës institucionet e reja do të përballen me trysni për rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Zgjedhja e zonjës Osmani, 38 vjeçare, shënon herën e dytë që në postin e presidentes zgjidhet një grua. Në vitin 2011 në këtë post që zgjedhur zonja Atifete Jahjaga. Osmani pason në postin e ri ish presidentin Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje me 5 nëntor të vitit 2020 pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel