Ndahet nga jeta, veterani i luftës, Rustem Peçi/ Ruçi: Mishërimi i vlerave të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist

06/04/2021 10:41

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të veteranit Rustem Peçi.

Me trishtim të thellë mora vesh lajmin e ndarjes nga jeta të veteranit e patriotit Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të Popullit Shqiptar.

Rustem Peçi ishte një veteran, antifashist dhe patriot, i cili që në moshë mjaft të re u aktivizua në  Luftën Çlirimtare si pjesëtar i rinisë antifashiste.  Si ushtarak, Rustem Peçi i shërbeu me përkushtim atdheut në të gjitha detyrat e larta me të cilat është ngarkuar.

Si drejtues për një kohë të gjatë i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-Nderi i Kombit, kësaj organizate të nderuar 64-vjeçare, Rustem Peçi ka kontribuar për mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste dhe edukimin e vajzave e djemve të Shqipërisë me respektin e nderimin për historinë, Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, lirinë dhe atdheun.

Rustem Peçi ishte dhe do të kujtohet përgjithmonë si mishërimi i vlerave më të larta të ushtarakut, patriotit, veteranit dhe edukatorit antifashist”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Për humbjen e veteranit Peçi, ka folur dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste,Taulant Balla.

Përmes një postimi në “Facebook”, Balla shkruan se Organizata Kombëtare e Veteranëve të LANÇ ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të pazëvendësueshëm përhershëm në mbrojtje të idealit të luftës për liri dhe dinjitet kombëtar.

Balla shkruan se Partia Socialiste e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Peçi dhe gjithë anëtarëve të Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ.

 

 

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA