Mianmar, shkon në 570 numri i viktimave në protestat kundër grushtit të shtetit

06/04/2021 09:40

Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 570

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 6 humbje të jetëve të tjera, duke rritur në të paktën 570 numrin e viktimave.

Ndërkaq, sipas raportit, 2.728 persona janë arrestuar deri më tani, kurse për 443 është shpallur urdhër arresti.

Civilët gërmojnë bunkerë kundër sulmeve të mundshme ajrore

Nga ana tjetër, shumë civilë që jetojnë në kufirin me Tajlandën në provincën Shan në lindje të Mianmarit, kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë filluar të ndërtojnë bunkerë në rast se ushtria mund të nisë sulme ajrore në rajon.

Në lajmet e publikuara në faqen e internetit Myanmar Now, thuhet se të paktën 6.000 njerëz në qytetin Tachileik morën masa kundër rrezikut të konfliktit midis Ushtrisë së Shtetit Shan (SSA), një nga grupet e armatosura etnike që veprojnë në rajon, dhe ushtrisë së Mianmarit.

Raportohet se gjersa disa nga civilët kanë gërmuar bunkerë për mbrojtje, disa të tjerë po përpiqen të kalojnë kufirin tajlandez.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA