Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes një postimi, në “Facebook” e quan të paprecedentë vendimin e Ministrisë së Jashtme, për t’i tërhequr pasaportat diplomatike futbollistëve të Kombëtares.
“Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.
Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.
Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese”, shkruan presidenti.
Në vitin 2016, Kombëtarja shqiptare u kualifikua në kampionatin europian, duke shënuar një moment historik për futbollin shqiptar. Në atë vit, lojtarët e kombëtares u paisën me pasaporta diplomatike. Por disa ditë më parë, Ministria e Jashtme i dorëzoi Federatës Shqiptare të Futbollit një shkresë ku theksohej se sportistët, nuk cilësohen më si kategori që të gëzojnë të drejtën e zotërimit të pasaportave diplomatike.
Vetë ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se “Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti”.
Në shkresën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme theksohet se ata që janë të pajisur me këto pasaporta diplomatike mund t’i përdorin ato deri në 30 qershor të 2021.
Top Channel