Nëna e dy fëmijëve 15 vjeç dhe 3 vjeç, e divorcuar, ankohet në Fiks Fare që policia e Ferizajt nuk ka marrë seriozisht denoncimin e saj të bërë më shumë se 10 ditë më parë, për largimin e vajzës minorene me një djalë 20 vjeçar për të cilën nëna dyshon se e drogon edhe e shfrytëzon për prostitucion.

Një ditë pas interesimit të Fiksit, policia e gjen vajzën, dhe e strehon në një qendër, ajo kishte mohuar trafikimin dhe drogimin, por në të njëjtën ditë ishte hedhur nga kati i tretë i godinës së strehimit, duke tentuar vetëvrasjen. Fatmirësisht vajza shpëtoi dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Në një intervistë për Fiksin, nëna tregon se po i rrit në kushte shumë të vështira fëmijët, e vetme, pasi i ati nuk përgjigjet. Muajt e fundit, vajza minorene ka ndryshuar sjellje, dhe nuk i bindet nënës së saj pas lidhjes që ka krijuar me një 20 vjeçar komshi. Kur nëna e ka zënë me djalin, dhe i ka kërkuar policisë ndihmë, vajza ka kërcënuar se do të hidhet nga kati i tretë i banesës. Duke parë vajzën në kushte të rënda psikologjike, dhe me frikën se është e droguar, nëna ka pranuar lidhjen duke takuar edhe prindërit e djalit. Por situata pak kohë më vonë doli jashtë kontrollit, kur vajza bashkë me djalin, largohen pa lënë adresë drejt Prishtinës. Vajza i mbyll të gjitha rrjetet sociale, kontaktet me nënën. Vetëm me një mesazh vajza i shkruan nënës që është mirë, në Prishtinë, dhe se burri i saj do punojë dhe ajo do rrijë në shtëpi me qira. Gjatë kësaj jave as prindërit e djalit nuk kishin asnjë lajm prej tij. Në këto kushte nëna e denoncon zhdukjen e vajzës pranë policisë, por këta në vend që të hetojnë djalin, e të marrin në pyetje prindërit e tij, thjesht shpallen vajzën si të humbur, pa hetuar për personin me të cilin është larguar. Pas një jave pa përgjigje, nëna ankohet në Fiks Fare, pasi nuk po gjen zgjidhje, sipas saj nga policia.

Denoncimin e parë për largimin e vajzës me djalin drejt Prishtinës nëna e ka bërë pranë policisë së Ferizajt më datë 25 Mars. Në këtë denoncim ajo bën një deklaratë të plotë për rastin, historinë, emrin e djalit me të cilin është larguar vajza dhe shpreh dyshimet e saj që vajza është droguar dhe trafikuar seksualisht tek persona të tjerë, madhorë.

Nëna u interesua sërish pranë Rajonit të Policisë Ferizaj, nëse gjatë këtyre 10 ditëve ata do të kishin mundësuar vendndodhjen e vazjës dhe djalit, por kjo e fundit në vend që të hetonte ishte mjaftuar vetëm me deklarimin e vajzës si të zhdukur, edhe pse ky nuk ishte denoncimi i saj. Ajo kishte deklaruar se vajza ishte larguar me një person dhe kishte dhënë emër e mbiemër. Njëri nga punonjësit e policisë i thotë që gjatë kësaj kohe kanë qenë të angazhuar në një një rast të arrestimit të 11 personave, ndaj nuk kanë mundur të bëjnë dot asgjë, pasi grupet kanë qenë të gjitha të zëna. Madje ato e “kërcënojnë” nënën që nëse ajo ka patur dijeni për shfrytëzimin seksual është ajo përgjegjëse dhe do përgjigjet.

Në të njëjtën ditë, nëna u interesua sërish pranë familjes së djalit, nëse ata kishin marrë lajm prej tij. Por nëna e djalit shprehet njësoj e shqetësuar, pasi nuk ka asnjë lajm prej tij dhe vajzës. Ajo tregon që djali mund të jetë duke qëndruar tek një shoku i tij që është këngëtar dhe bën videoklipe, gjithashtu tregon se djali është i papunë dhe nuk e di se me çfarë po jetojnë në Prishtinë.

Fiks Fare i drejtoi një kërkese zyrtare për informacion Policisë së Ferizajt. Në të njëjtën ditë, nëna kishte marrë një mesazh nga vajza, ku ajo i linte të kuptonte, që kishte dijeni për denoncimin e nënës pranë emisionit Fiks Fare. Në këto mesazhe ajo i lutej nënës që të tërhiqej nga bërja publike e rastit.

Pak orë më vonë, Policia e Ferizajt na bën me dije, nëpërmjet një përgjigje zyrtare se vajza ishte gjetur. Në këtë përgjigje ndër të tjera thuhej:

“Hetuesit policorë janë angazhuar në hetimin e rastit duke ndërmarrë veprimet e duhura hetimore dhe më, 02.04.2021 Hetuesit Rajonal për Krime të Rënda në Ferizaj kanë gjetur personin së bashku me një person tjetër ( A.R. mashkull) , viktima është intervistuar në prezencë të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, e cila deklaron se me vet-dëshirë ka shkuar tek personi tjetër, pasi që ajo ka pasur problem familjar me nënën dhe të atin e saj. Ajo ka deklaruar se as nuk është abuzuar me substancë narkotike e as nuk është prostituuar nga askush, por këto janë trillime të nënës së saj. Viktima deklaron se nëna e saj e ka ditur se ajo dhe A. janë në lidhje dashurie dhe në vazhdimësi ka kontaktuar në telefon me nënën e saj. Gjatë kësaj kohe ajo me A.R kanë qenë tek një i afërm i djalit.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit për të mitur i cili ka autorizuar hetuesit rajonal që të hapin rast të veçantë “ Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjet” lidhur me qëndrimin e të miturës me personin madhor, ku në cilësinë e të dyshuarit në prezencë të mbrojtësit është intervistuar i dyshuari, kurse viktima është intervistuar drejtpërdrejt nga prokurori i çështjes.

Prokurori ka urdhëruar që e mitura të dërgohet në ekzaminim gjinekologjik në IML – Prishtinë dhe pastaj të dërgohet në strehimore, pasi që viktima nuk pranon që të shkojë në shtëpi tek prindërit e saj për shkak të problemeve familjare me nënën e saj. Kurse për të dyshuarin A. R. prokurori ka urdhëruar që të ndalohet për 48 orë deri në kompletimin e lëndës.

Një ditë më vonë, nëna lajmëron në Fiks Fare që vajza e saj kishte tentuar të vrasë veten, duke u hedhur nga kati i tretë i qendrës. Por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ajo gjithashtu pretendon se nuk ka qenë policia që e ka gjetur vajzën, por kjo e fundit bashkë me djalin janë paraqitur vetë pranë rajonit të policisë. Gjithashtu ajo vazhdon të këmbëngulë për faktin që vajzës së saj i është dhënë lëndë narkotike dhe është shfrytëzuar seksualisht nga persona të tjerë maxhorenë, por këtë fakt sipas saj policia nuk është duke e hetuar, apo marrë seriozisht si denoncim. Në sfond dëgjohet vajza që konfirmon emrin e personit që e ka shfrytëzuar, rrahur dhe kërcënuar me jetë që të mos i tregojë nënës së saj apo policisë për shfrytëzimin seksual dhe drogën që i kanë dhënë.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA