Tetë vite nga ndarja nga jeta, një rrugë në Tiranë do të mbajë emrin e ish-deputetit të PD-së dhe ish ministrit, Sokol Olldashi.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot, me votat e këshilltarëve socialistë, propozimin për emërtimin “Sokol Olldashi” të një rruge të Tiranës, i cili ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.
“Ky vendim vjen fill pas emërtimit të një shkolle me emrin “Bashkim Fino” në Njësinë 2. Nëse fushatat kanë një dozë të shtuar të debatit edhe të argumentimit, duhet të kujtohemi edhe për gjërat që na bashkojnë, dhe jo për gjërat që na përçajnë. Pas emërtimit të shkollës me emrin e një kolegu të ndjerë nga e majta, që u nda befas nga jeta, bëmë të njëjtën drejtësi për të bashkuar atë komunitet duke emërtuar një rrugë me emrin e ish deputetit të PD, Sokol Olldashi”, deklaroi Veliaj.
Rrugëtimin e tij politik Olldashi e nisi që në kohën e protestave të studentëve të dhjetorit në vitin 1990. Karrierën e tij profesionale e filloi si gazetar në shtypin e shkruar, ku mund të përmendim gazetën “Albania”, “Rilindja Demokratike”, “Agjencinë Telegrafike Shqiptare” dhe në fund kryeredaktor në median “ATN”. Ishte një nga figurat më të spikatura politike të Partisë Demokratike të cilën e përfaqësoi katër herë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2001 ai nis karrierën politike, duke u zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në vitin 2005 rizgjidhet deputet dhe merr postin e Ministrit të Brendshëm, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 2007. Më pas mori drejtimin e Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike deri në shtator të vitit 2013. Ai ka drejtuar Forumin Rinor të Partisë Demokratike, ka qenë kryetar i PD në Tiranë dhe anëtar i forumeve më të lartë të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD. Humbi jetën në një aksident me makinë në zonën e Krrabës në 20 nëntor 2013. Ai do të kandidonte edhe për postin e kreut të PD përballë Bashës në një proces tepër të kontestuar.
Top Channel