Top Channel ka siguruar pamjet e momentit kur ekzekutohet me breshëri plumbash Bardhok Pllanaj në Shkodër.
Nga pamjet e sigurisë duket momenti kur Pllanaj përballet me të shtëna nga të gjitha anët. Ndonëse është errësirë, duket qartë se si përplasen plumbat me automjetin tip “Range Rover” me të cilin po udhëtonte dhe e lanë të vdekur në vend Pllanajn.
Në vendin e ngjarjes u gjetën 79 gëzhoja plumbash që ishin drejtuar ndaj Pllanajt, i njohur ndryshe si “Kumbari”. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar rreth orës 21:07 në lagjen “Dobraç”, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe u konstatua një makinë e djegur. Automjeti i djegur ishte rreth 250 metra pa shkuar tek rruga kryesore, ku ndodhej mjeti i tipit Range Rover, në të cilin u ekzekutua Pllanaj.
Ndërsa në automjetin e djegur, tip Volksëagen Passat, me targa FV140MT, u gjetën dy armë automatike mod.56, dy krehër automatiku dhe dy gëzhoja mod.56 kalibër 7.62 mm të cilat u morën me cilësinë e provës materiale nga policia.
Sa i përket automjetit të Pllanajt, u gjetën dy aparate telefoni, njëri i dëmtuar, njëri në gjendje të rregullt por është dërguar për ekspertim laborator kriminalistik Tiranë. Në vendin ku u qëllua Pllanaj, u mor në pyetje një person, i cili deklaroi se tek rruga e Bajpasit nuk kaloi as makinë as persona në këmbë, por i dëgjoi të shtënat me armë.
Dyshohet se vrasja ndaj tij ishte e paramenduar, e mirë organizuar me mbi dy persona autorë, të cilët kanë bashkëpunuar me persona të tjerë të cilët kanë ruajtur viktimën për lëvizjet e tij, pasi paraprakisht viktima dyshohet se ka qenë së bashku me bashkëshorten e tij në spitalin e Shkodrës tek nëna e sëmurë dhe pasi ka dalë nga aty ka shkuar për në banesën e tij në Dobraç, ku më pas është qëlluar në një distancë rreth 50 metra.
Top Channel