Përmes një postimi në rrjete sociale Kryeministri i vendit, Edi Rama, njofton se është arritur një marrëveshje me Sputnik V. për të sjellë në Shqipëri 50.000 doza të tjera të vaksinës ruse, brenda 10 ditëve.

Kryeministri shkruan se me vaksinimin masiv vendi do të dalë shumë shpejt nga tuneli i errët i pandemisë.

Me vaksinimet e sotme synohet që të shkojë deri në 200 mijë numri i të vaksinuarve në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë ndjekur nga afër vaksinimin e të moshuarve në Pogradec ditën e sotme, nga ku Manastirliu njoftoi se po përgatiten për të ulur fashën në +60 vjeç.

“Procesi po ecën shumë mirë, me ritme shumë të mira. Sot do të arrijmë 200 mijë vaksinime. Ndërkohë që përgatitemi të ulim fashën tek 65 vjeç dhe 60 vjeç për të sëmurët kronikë”, njoftoi Manastirliu.

Manastirliu tha se procesi i vaksinimit po vijon me ritëm të lartë krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Kryeministri Rama në facebook:

Sapo kemi arritur marrëveshjen për të sjellë në Shqipëri 50.000 doza të tjera të vaksinës Sputnik brenda 10 ditëve

Ne do ta fitojmë këtë luftë me forcën e karakterit e të këmbënguljes sonë dhe do ta lemë shpejt pas tunelin e pandemisë, ku drita e daljes sa vjen e zmadhohet

Top Channel