Kandidatët e Tiranës rrëfejnë marrëdhënien me komunitetin dhe si hynë në politikë

05/04/2021 19:08

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila garon në këto zgjedhje me numrin 7 në listën e deputetëve të Tiranës, po e zhvillon fushatën e saj në Njësisë 7 në Tiranë. Gjatë prezantimit që kryebashkiaku ErionVeliaj zhvilloi me grupin e pestë të kandidatëve për deputet në kryeqytet, Gjonaj rrëfeu mes të tjerash se ndihej si në shtëpi në çdo takim të zhvilluar me komunitetin e kësaj zone.

“Kam jetuar në pjesën e vjetër të kësaj zone, e kam mbaruar gjimnazin tek “Qemal Stafa” dhe shoh një tifozllëk nga njerëzit edhe për faktin që jam gocë lagjeje. Por edhe me pjesën e krijuar së fundmi, me të ardhur nga krahina të ndryshme, nuk është e vështirë të bisedosh. Si një person që kam jetuar disa vite në veri, origjinën e kam nga jugu, e ndërkohë kam jetuar në Tiranë për më shumë se 30 vite, është e natyrshme lehtësia në komunikim,” shprehet Gjonaj.

Ish-Prefekti dhe së fundmi edhe kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu shprehet se është shumë i lidhur me tokën dhe kjo është arsyeja pse 13 vite më parë u shpërngul në Maknor të Pezës.

“Është një dashuri për natyrën dhe për tokën. Donim të bëheshim pjesë e një komuniteti i cili jeton thjeshtë. Rilindja Urbane duhet të marrë formën e Rilindjes Rurale,” shprehet Gogu, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e zv/ministrit të Drejtësisë pranë Etilda Gjonajt.

Etjen Xhafaj, i cili ka mbajtur numrin dy në dy dikastere të rëndësishme si Ministria e Jashtme dhe së fundmi edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se bregdeti dhe turizmi, resurse të zonave ku ai po zhvillon të gjithë fushatën për zgjedhjet e 21 Prillit, Kavajë, Rrogozhinë, janë e ardhmja e ekonomisë.

“Unë besoj që ka një potencial të jashtëzakonshëm sepse është ai zinxhiri ekonomik që i lidh. Pra turizmi nuk lidh vetëm hotelet, nuk lidh vetëm restorantet, por sigurisht ka një ekonomi të tërë që e mbështet, që nga bujqësia dhe aty sigurisht është një nga zonat më produktive në të gjithë Republikën,” thotë ai.

Mimi Kodheli numëron pafund detyra e poste të rëndësishme gjatë karrierës së saj të gjatë politike, por në top listë rendit kohën kur drejtonte së bashku me Edi Ramën Bashkinë e Tiranës.

“Kërkesës së Edi Ramës për tu bërë pjesë e transformimit të Tiranës i jam përgjigjur jo si njeri që doja të merresha me politikë, por si një vajzë që isha lindur dhe rritur në Tiranë. Tirana ishte çdo gjë për mua. Sigurisht, kam bërë gjëra të rëndësishme në karrierën politike, por ajo çfarë kam shërbyer për Tiranën mbetet në top listë,” rrëfen Kodheli.

Ndryshe nga ish-ministrja e Mbrojtjes, deputeti Spartak Braho çdo gjë e ka të lidhur me Skraparin.

“Nuk kanë treguar kujdes deputetët që ka nxjerrë ajo krahinë, e veçanërisht Presidenti, s’ka bërë as rrugën e fshatit të tij, pale të bënte rrugën Berat-Skrapar,” thotë Braho, i cili kujton gjithashtu se si ka hyrë rastësisht në politikë. “Formimi im profesional është gazetar. Duke qenë se gazetaria dhe drejtësia ishin në një Fakultet kam punuar deri në vitet ‘90 si gjyqtar. Jam gjendur papritur në një konferencë të PS në Durrës dhe aty u zgjodha një nga drejtuesit e saj. Lashë me profesion, me të tëra dhe u mora me sherre,” shprehet ai.

Edhe Tahir Muhedini kujton se ka lënë më parë çdo biznes për të hyrë në politikë. Por sot ai shprehet krenar për përfshirjen në listën e Partisë Socialiste.

“Ju falënderoj ju dhe zotin Edi Rama që krijuat një dritare . Nuk u vendosa në Partinë Socialiste për interesat e mia dhe për pazare, por mora numrin 36 që po të jem i zoti t’ia dal, jo si dikush tjetër që gjithmonë e do vendin të sigurt në koalicionin që bën pjesë. Nuk është çështje drejtorish, është çështje e të drejtave të njeriut, ndaj shpreh vetëm mirënjohje që bëj pjesë në këtë ekip që e ka vënë dinjitetin tonë në vend në parlamentin shqiptar. Ne jemi shumë të fyer nga Vangjel Dulja dhe sot të jemi në koalicion me Vangjel Dulen është pak e trishtueshme,” rrëfen Tahir Muhedini i cili drejton një komunitet prej 300 mijë çamësh në të gjithë vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA