Në vizitën e tij në Shkodër, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është takuar me disa të rinj shkodran të cilët e kanë pritur tek Ura e Bunës, ndërsa i kërkoi atyre t’i “prijnë ndryshimit më 25 prill”.
Pasi i falënderoi për mikpritjen, Basha tha se Ura e Bunës është vepër infrastrukturore që e bën të ndihet krenar për pjesën që pati në projektimin e saj. Ai tha se ura është projektuar jo vetëm t’u përgjigjej nevojave të shkodranëve, por edhe vizionit të Partisë Demokratike që kishte për Shkodrën turistike.
Basha u premtoi të rinjve arsimim sipas pritshmërive të tyre, trajnime profesionale dhe ringjallje të ekonomisë e turizmit.
Lulzim Basha: Dua në radhë të parë t’ju falënderoj nga zemra për mikpritjen, zonjat, gratë e Shkodrës, edhe zotërinjtë e Shkodrës sigurisht, dhe të rinjtë, djemtë e Shkodrës. Jam në një vepër infrastrukturore në të cilën e them me krenari, kam patur mundësinë të jem pjesë e këtij projektimi të kësaj vepre. Ishte konceptuar si një zëvendësim i urës së vjetër, por në ato vite për ne ishte shumë e rëndësishme që çdo vepër që do të ndërtonim mos të ndërtohej sot për nesër, por të ndërtohej për perspektivën dhe për të ardhmen. Pra, e mbaj mend i kërkuam projektuesve të siguronin që ura që do të ndërtonin jo vetëm t’i përgjigjej nevojave dhe projeksionit të nevojave të trafikut rrugor, por po kështu vizionit tonë për Shkodrën. Vizion i cili parashikon që ky liqen që shtrihet përtej nesh dhe që lidhet me lumin e Bunës me detin përbëjnë një pasuri të vërtet jo thjeshtë natyrore por edhe turistike siç është unike për Shkodrën dhe shkodranët prandaj dhe kjo pjesë e urës ku ndodhemi është projektuar si një mekanizëm që hapet. Domethënë ajo platformë për këdo që nuk e di është pjesë e mekanizmit të hapjes së urës në mënyrë që të lundronin anijet turistike, jahtet turistike madje edhe veljerët që janë me vela kishin mundësi të futeshin për në liqen e të dilnin nga liqeni i Shkodrës për tu futur në det. Kjo është pjesa e historisë të bukur të dikurshme.
Ekonomia, arsimi, shëndetësia, turizmi, mjedisi, kujdesi për prindërit tanë, rrogat, pensionet, të gjitha kanë ngecur në vend. Të vetmet gjëra që kanë shkuar lart janë çmimet, janë kostoja e jetesës dhe numri i te rinjve që largohen nga Shqipëria. Me dy fjalë ajo që do të bëjmë së bashku me 25 prill është që do ta ç ‘bllokojmë këtë mekanizëm. Me votën tuaj do ta ç’bllokojmë këtë mekanizëm të ndryshkur, do sjellim ndryshimin dhe se kam fjalën vetëm për mekanizmin e kësaj ure se edhe këtë mekanizëm do të ç’bllokojmë por për të ç’bllokuar dhe për të hequr pengmarrjen e ekonomisë shqiptare, duhet që me 25 prill, rinia e Shkodrës, rinia e gjithë Shqipërisë t’i prijë ndryshimit, me pjesëmarrje, me votë masive për ndryshim. Dhe ne do t’ju përgjigjemi, do t’ju përgjigjemi me arsimin e pritshmërive tuaja, me kualifikimin profesional, me reformat e vërteta në universitete si Universiteti i Shkodrës, që t’ju përgatisin për profesione të denja në jetë dhe do t’ju përgjigjemi duke ngjallur, duke ndezur motorët e ekonomisë e në veçanti turizmit që do të jetë një nga degët kryesore të ekonomisë shkodrane dhe ekonomisë kombëtare.
Dhe do të jemi prapë këtu pastaj, por jo për të bërë deklarata por për të mundësuar që mekanizmi i ndryshkur i kësaj ure, te riparohet, kjo urë të hapet dhe anijet turistike të vërshojnë duke sjellë me vete edhe turistë edhe konsum edhe mirëqenie për bizneset e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë dhe një stad dhe një cilësi të re jete të standardit europian, për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë sepse Shkodra ka qenë edhe në ditët më të errëta fortesa jonë për identitetin tonë europian. Ne kemi shërbyer me devotshmëri për ta afruar me Europën, ju keni qenë të gjithë të vegjël kur hoqëm vizat dhe së bashku tani është brezi juaj motivi dhe energjia që do na japi energjinë neve si qeveri të arrijmë objektivin tonë më madhor që është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj, për mbështetjen tuaj dhe ju ofroj që deri më 25 prill të bëjmë gjithçka që çdo i ri dhe çdo e re të jetë pjesë e fitores. Nuk do të ngecemi më në vend, por do të ecim përparme besim tek njeri-tjetri me besim tek Shkodra dhe Shqipëria drejt destinacionit tonë që është Shqipëria si gjithë Europa. Faleminderit shumë.
Top Channel