Viktima Bardhok Planaj

Bardhok Planaj, i njohur si “Kumbari” për shkak të së kaluarës së tij ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së dielës në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Dobraç”, pak metra larg shtëpisë së tij. Një atentat i mirëfillte pasi viktimën e kanë ndjekur për rreth 150 metra dhe në një moment kanë ecur paralelisht me të duke e qëlluar.

Rreth 30 plumba u gjetën në trupin e viktimës pas ekspertizës mjekoligjore.

Makina e Planaj e bërë shosh nga plumbat

Afër vendit të ngjarjes ku u ekzekutua Planaj është konstatuar një makinë e djegur brenda së cilës janë gjetur dhe 2 armë të cilat dyshohet se janë të autorëve.

Makina e autorëve

Planaj njihej në Shkodër pasi ishte dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tre vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Gjithashtu Planaj, ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. 46 vjeçari dyshohet si i përfshirë në operacionin e quajtur “laguna e Vilunit të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin nga një mjet lundrues, në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg. Koka i trafikut u dyshua pikërisht biznesmeni Bardhok Planaj.

Gjate aksionit të policisë, Planaj arriti t’i shpëtonte arrestimit dhe dyshohet u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku. Ngjarje kjo e cila trazoi politikën katër vite më parë si një skandal i përmasave të mëdha, por që Frroku e mohoi një gjë të tillë. Asokohe opozita akuzonte se deputeti Frroku e fshehu Planajn në makinën e tij dhe duke përfituar nga imuniteti si deputet, i shpëtoi kontrolleve te policise.

Në Dhjetor të vitit 2018, Planaj u arrestua nga Policia e Shkodrës pasi akuzohej për pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje. Ai u akuzua se kishte ndërtuar pa leje një pallat 10-katësh me paratë që dyshohet se buronin nga aktivitete kriminale. Ky objekt i ndërtuar në atë kohë kap vlerën e 2 milionë Eurove.

Vetëm pak ditë pas arrestimit, Planaj u la serish i lirë. Më 2 shkurt të 2019 me urdhër Prokurorie, Pllanajt iu sekuestruan 20 pasuri prona, apartamente, biznese, troje, makina etj kryesisht në lagjen “Dobraç” të Shkodrës.

Ai kishte një pallat 10-katësh, që 46-vjeçare e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.

Më 10 shkurt të vitit të shkuar, në derën e Planajt trokiti dhe Operacioni Forca e Ligjit.

Ndërkohë nën zë në Shkodër thuhet se Planaj ishte shumë afër fushatës elektorale të një partie politike.

Top Channel