Rama me bizneset e vogla në Fier: Luli fle kudo, e pakonceptueshme të paguash që ta lësh në kryeministri

04/04/2021 12:34

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit të vogël në Fier, të cilëve u premtoi se tatim fitimi dhe TVSH-ja do të mbeten zero deri në vitin 2029.

Rama premtoi se bizneset e vogla nuk do të kenë asnjë lidhje më me inspektorët, sepse sistemi do të digjitalizohet dhe nuk do të bien më pre e inspektorëve abuzues.

Kryeministri foli edhe mbi procesin e fiskalizimit duke u shprehur se do të marrin fund inspektorët abuzues dhe kontakti fizik i biznesit me shtetin.

Rama nga ana tjetër ka ironizuar me Bashën, duke thënë se përfaqësuesit e biznesit të vogël mund të kenë inat atë apo Ruçin, por s’mund të paguajnë 9% të fitimit për ta lënë Bashën të flejë në kryeministri.

“Është katastrofë mendore që cilido që merret me biznes të vogël të shkojë të votojë ata që do sjellin taksën e sheshtë, 9 për qind menjëherë, bam-bam. Të paguash që flejë Luli në Kryeministri, por mund të flejë në shtëpi, në makinë, te partia, në lulishte. Dhe çdo muaj të nxjerrësh nga xhepi 9 për qind të fitimit tënd. Kjo është e pakonceptueshme sado inat ta kesh Gramoz Ruçin, sado inat ta kesh Edi Ramën. Kur vjen puna xhepi yt fut dhe nxjerr fitimet e tua. Ato nuk lidhen sa inat ke njërin dhe sa qejf ke tjetrin. Me Ramën e Ruçin e ke të thjeshtë, ndërro kanal, shko te ajo “Përputhen” edhe rri atje. Logjika e biznesit është ku e kam interesin. Unë dua të çoj drutë në mal, kam interes te ngjyra e gomarit, apo kam interesin te gomarin që do më çoj drutë në mal”, tha Rama.

Top Channel