Pashkët sivjet vijnë ndryshe për miliona të krishterë në mbarë botën të cilët kremtojnë nën masa masa të reja kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pikërisht festimeve i druhen edhe më shumë qeveritë, që janë të vendosura të ndalojnë hovin e sëmundjes. Franca e nisi të shtunën izolimin kombëtar pasi numri i pacientëve në spitale është shtuar. Presidenti Emmanuel Macron premtoi se do të shtohen shtretërit për pacientët me Covid, ndërsa një ditë më parë u vendos po ashtu që francezët të mos lejohen të udhëtojnë më shumë se 10 kam larg shtëpisë pa një arsye të vlefshme.

Edhe Italia filloi zbatimin e një bllokimi të rreptë për festën e Pashkëve, duke i vendosur të gjitha rajonet në “zonë e kuqe” përkatësisht me rrezik të lartë gjatë fundjavës së festave. Në Gjermani, qeveria u tërhoq nga planet për bllokim të rreptë gjatë Pashkëve, por kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje njerëzve të kufizonin kontaktet e tyre shoqërore. Në Poloni, shkollat, dyqanet dhe bizneset janë mbyllur përsëri, megjithatë kishat në këtë vend me shumicë katolike, mbeten të hapura për një numër të kufizuar të qytetarëve.

Përveç vendeve europiane edhe Kanadaja po përballet me një valë të tretë të përhapjes së virusit. Dy provincat më të populluara të Kanadasë, Ontario dhe Kuebek, vendosën masa izolimi gjatë fundjavës. Në Filipine, një bllokim që prek më shumë se 24 milionë njerëz në vendin kryesisht katolik u zgjat për një javë tjetër ndërsa autoritetet kanë njoftuar për spitale të mbingarkuara.

Top Channel