Mashtrimi me donacionet/ Si u përdorën fotografitë e një 2 vjeçari nga Ukraina për të kërkuar para përmes profileve false 

04/04/2021 19:55

Fotografitë e këtij 2 vjeçari nga Ukraina, për të cilin në vendin e tij dhjetëra njerëz dhuruan para për t’i mundësuar një ndërhyrje të rrallë mjekësore, në Shqipëri u përdorën për të mashtruar qytetarët duke kopjuar fotot e tij por edhe të fëmijëve të tjerë të huaj.

Disa të rinj në bashkëpunim me njëri-tjetrin hapën profile false dhe pasi i prezantonin si fëmijë shqiptarë kërkonin mbështetje financare.

Për ta realizuar këtë, ata dyshohet se ju kanë shkruar në inbox personave të njohur dhe pasi realizonin mashtrimin e mbyllnin llogarinë që mos të zbuloheshin nga njësia kundër krimeve kibernetike.

Ata janë pagëzuar nga policia si ‘kameleonët’ dhe në dy aksione të ndryshme përfunduan në pranga njëri pas tjetri për mashtrim kompjuterik dhe falsifikim kompjuteri. Se sa është shuma që ata kanë përvetësuar nga qytetarët nuk është zbuluar ende.

Prokuroria e Tiranës shton se pas gjurmimit mbi 6 mujor nga krimet kibernetike, të dyshuarit u kallëzuan dhe nga një fondacion bamirësie nën logon e cilit mashtrues prezantoheshin.

Top Channel