Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar këtë të diel masën e sigurisë “arrest me burg” për nëntë personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Kompleksi”, ku u zbulua një bazë e madhe armatimi në Tiranë.

Mësohet se për Klodian Kullën është caktuar burg për 45 ditë kurse për të tjerët është vendosur burg pa afat.

Në Gjykatën e Posaçme u mbajt seanca për caktimin e masës për personat e arrestuar më 1 prill, me finalizimin e operacionit të koduar “Kompleks”. Para gjykatës dolën sot Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jupi, Festim Mustafa, Arben Sufa dhe Klodian Kulla.

Ky grup kriminal u godit pak ditë më parë, pas një operacioni nga Policia e Tiranës, FNSH dhe Forcat RENEA, ku u zbuluan e shkatërruan 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake.

Gjatë aksionit, u sekuestruan arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

Top Channel