“Të faleminderit për vajzën që je bërë!”, mesazhi i nënës që përloti këngëtaren e njohur Xhensila Myrtezaj

03/04/2021 23:23

Në puntatën e mbrëmjes së sotme të programit “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e Lusilës, vajza 13-vjeçare e cila të gjithë fëmijërinë e kishte kaluar duke u kujdesur për vëllezërit e saj më të vegjël.

Prindërit e Lusilës për shkak të problemeve të mëdha ekonomike ishin detyruar që të emigronin për periudha të gjata, duke i lënë fëmijët nën kujdesin e vajzës së tyre më të madhe. Lusila ishte ftuar në program nga mamaja e saj, Minushja e cila dëshironte t’i kërkonte falje asaj për përgjegjësinë e madhe që i kishte lenë mbi shpatulla, por dhe për ta falenderuar dhe për t’i premtuar se nuk do ta linte kurrë vetëm.

E ftuar surprizë për Lusilën, ishte këngëtarja tepër e njohur dhe idhulli i saj, Xhensila Myrtezaj e cila kishte përgatitur disa surpriza të veçanta për të. Por siç dihet në programin “Dua të të bëj të lumtur” është bërë traditë që personazhet publik nuk mund të largohen pa një surprizë.

Surpriza që programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte rezervuar për këngëtaren e njohur ishte vetë mamaja e saj. “Xhensila të falenderoj shumë për vajzën që je bërë. Fjalët nuk mjaftojnë për të treguar se sa krenare jam për ty, dije se mami të do shumë!”– ishte mesazhi i mamasë për Xhensilën.

Xhensila e përlotur nga ana tjetër e studios rrëfeu gjithë sakrificat dhe vështirësitë që nëna e saj kishte bërë për shumë vite duke thënë: Në fakt jam unë që jam krenare për ty, sepse më ke rritur me shumë sakrifica. Nuk e harroj kurrë kur më merrje në punë e se sa lodheshe vetëm që të më siguroje të ardhmen. Të dua mami e dije se kurrë nuk do të të lë vetëm!

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA