Rehabilitimi i lumit Lana, Veliaj: Tirana do të ketë një aks kryesor buzë lumit, rritet vlera e pronës

03/04/2021 13:10

Bregu i lumit Lana po rregullohet në zonën nga Materniteti i ri deri te rrethrrotullimi i Shkozës.

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj inspektoi sot, punimet në këtë pjesë të lumit. Sipas tij, është finalizuar marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve, që zgjatimi i Lanës të vijojë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar.

Kemi mbërritur me zgjatimin e Lanës deri në Shkozë, ndërkohë që më në fund kemi finalizuar marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për zgjatimin tjetër nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar, që Tirana të ketë realisht një aks kryesor buzë lumit i cili jo vetëm sjell hijeshi, por rrit në mënyrë të paimagjinueshme vlerën e pronës. Do të ketë akses për makinat, se janë korsi dhe bulevarde me 3 kalime në secilën anë. Do të ketë edhe një korsi të pandërprerë biçikletash, që për herë të parë dikush mund të vijë nga Shkoza deri tek “Pallati me Shigjeta” me biçikletë”, deklaroi  Veliaj.

Kryebashkiaku tha se do të shtohet një linjë e transportit publik, që do përshkojë Lanën nga fillimi deri në fund.

Po lidhemi me një tjetër projekt, që është projekti i Unazës së Madhe, ku sapo është hapur mbikalimi në Farkë dhe praktikisht vetëm duke ndjekur këtë Bulevard përgjatë Lanës, lidhemi deri në Lundër me Unazën e Madhe”,  theksoi Veliaj.

Në njoftimin për shtyp thuhet se segmenti përgjatë Lumit Lana nga Materniteti i Ri deri te rrethrrotullimi i Shkozës, është drejt përfundimit shtresa e asfaltit dhe shtresa e tapetit anash lumit. Ky aks do të jetë vazhdim i Bulevardit “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel