Në ditën e 6 të vaksinimit masiv të popullatës mbi 70 vjeç, në “Sheshin Skëndebej”, situata është më e qetë, krahasuar me ditët e para.

Viollanda dhe Shkëlqim Zeqo janë një çift inxhinierësh mekanikë, mbi 50 vjet të martuar, dhe që sot, ashtu siç I ka njoftuar mjekja e familjes do të bëjnë vaksinën.

Viollanda Zeqo, qytetare:Unë kam qenë 3 vjet në Kinë, nga 1961-1964, ndër studentët e parë. Ishim rreth 100 veta. Kështu që nuk e kam problem fare aplikimin e vaksinën kineze, pasi kam një dashuri për atë vend dhe ata njerëz.

Kam studiuar atje, në Kinë, inxhinieri mekanike, më pas na kthyen në Shqipëri dhe i përfunduam në vendin tonë studimet.
Nga anëtarët e familjes sime janë vaksinuar vajza, që është pedagoge këtu dhe djali që kemi në Itali. Sot vaksinohemi edhe ne, dhe bëhemi 4 gjithsej.

Shkëlqim Zeqo, qytetar:Në asnjë vend të botës, nuk duhet të refuzohet vaksina. Aq më tepër në Shqipëri. Unë erdha të vaksinohem sot, bashkë me gruan. Mund edhe të prisja sa të më vinte radha, atje në universitetin ku unë punoj aktualisht, por erdha edhe për të mbështetur bashkëshorten.
Shkoi shumë mirë, shumë e lehtë. Vaksina është një dhuratë që na jepet. Nuk bëhet as me para, nuk kushton asgjë, por ama mbron jetën dhe duhet bërë patjetër.

Viollanda Zeqo: Unë do të vij sërish në 3 maj tani, më tha doktori, pra pas një muaji, për dozën e dytë.

Inxhiniere Viollanda dhe profesor Shkëlqimi, duke nisur nga dita e sotme bëhen pjesë e armatës prej gati 150 mijë njerëzish, që janë vaksinuar deri më tani në vendin tonë.

Top Channel