Dhuna e kartelit Jalisco ka marrë përmasa të tmerrshme në shtet dhe ekspertët thonë se ajo përbën një kërcënim të madh për qeverinë e Meksikës.
Banorët në një fushëgrumbullimi mbeturinash, pas aeroportit të Guadalaharës, panë pak ditë më parë një qen që endej nëpër zonë me një objekt të çuditshëm në gojë, një krah njeriu. Ekipet e kërkimit nisën punën dhe bënë një zbulim akoma më të tmerrshëm…gjetën plot 26 trupa të pajetë të mbështjellë në qese plastike.
Sipas banorëve, ka me dhjetëra vende të tilla ku janë hedhur trupa të pajetë njerëzish, viktima të kartelit, në të gjithë shtetin e Jaliscos, në perëndim të Meksikës, shtet ky që po paguan një çmim të rëndë për rolin e tij në tregtinë shumë miliarda dollarësh të drogës në Amerikën e veriut. Për autoritetet, një zonë në zgjerim në Meksikë është nën kontrollin e kartelit Jalisko Nueva Gerenracion, një grup kriminal monstruoz që konsiderohet aktualisht si karteli më i fortë i Meksikës.
Më pak i famshëm në planin ndërkombëtar se sa karteli sinaloa, që udhëhiqej nga tashmë i burgosuri Joaquin el chapo Guzman, organizata Jalisco është e famshme në Meksikë për shfaqjet jashtëzakonisht të dhunshme dhe fuqinë që ekspertët thonë se përbën një kërcënim të madh për presidentin nacionalist Andres Manuel Lopez Obrador.
Autoritetet në veri dhe në jug të kufirit me SHBA tani e konsiderojnë grupin një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ai ka shumë para, armët më të fundit, grupe paramilitare në stil ushtarak dhe automjete po ashtu. Karteli, sipas tyre, përbën një sfidë të vështirë për qeverinë meksikane, mbi të gjitha në qytetet jo shumë të mëdha ku vetëm një grusht anëtarësh të tij mund ta shpartallojnë policinë lokale.
Top Channel