Masakra e 2 prillit/ Meta nga Shkodra: Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet

02/04/2021 10:41

Presidenti i vendit, Ilir Meta, ndodhej sot në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në ceremoninë solemne që organizohej me rastin e 30-vjetorit të vrasjes së Martirëve të Demokracisë.

Si sot 30 vite më parë, më 2 prill 1991, një ngjarje shumë e rëndë tronditi jo vetëm qytetin e Shkodrës por të gjithë vendit. Kjo ditë njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri pasi pas një proteste kundër regjimit u ekzekutuan 4 persona.

Plumbat e forcave të policisë morën jetën e Bujar Bishanakut, Arben Brocit, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, sot të shpallur martirë të demokracisë, ndërkohë që me dhjetëra u plagosën.

I shoqëruar nga Kryebashkiakja e Shkodrës, zonja Voltana Ademi, Kreu i Shtetit fillimisht u takua me familjarët e katër heronjve e me qytetarë të shumtë dhe më pas bëri homazhe në “Memorialin e 2 prillit 1991”, duke vendosur një kurorë me lule dhe duke u përulur me respekt përpara kujtimit dhe akteve heroike e sublime të katër “Martirëve të Demokracisë”.

Me këtë rast Presidenti i Republikës u shpreh:

“Sot bëhen tre dekada nga 2 prilli i vitit 1991, kur katër djem nga më të mirët e Shkodrës dhe të Shqipërisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu e Besnik Ceka, u vranë pabesisht, pikërisht sepse ishin të vendosur në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira.

Sot në Shkodër, jo vetëm nderojmë kujtimin e tyre të paharruar, por angazhohemi për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, për zgjedhje të lira dhe për fjalën e mendimin e lirë, sepse Shqipëria ende vuan mungesën e tyre.

Fatkeqësisht, Shqipëria ende vuan nga fenomeni i partisë-shtet dhe nga kapja e shtetit, që ka mbajtur peng edhe procesin e integrimit europian prej kaq vitesh.

Ndaj është momenti që të gjithë të nisemi drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për ta rivendosur vendin në shinat e Kushtetutës dhe të demokracisë, sepse në themel të Kushtetutës sonë qëndron pluralizmi politik, zgjedhjet e lira dhe vota e lirë dhe e barabartë e çdo qytetari të kësaj Republike.

Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë si gjithmonë, sot akoma edhe më shumë, në krye të këtij marshimi, sepse ka qenë zemra dhe frymëzimi për demokracinë edhe në kohët më të errëta të vendit.

Të bëjmë çdo gjë për suksesin e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që do ta ndërtojmë mbi sakrificat e martirëve të 2 prillit, por njëkohësisht edhe të gjithë atyre, të cilët në emër të fjalës së lirë, të demokracisë, por edhe në emër të lirisë së besimit u martirizuan gjatë së shkuarës së errët totalitare”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Më pas Presidenti Meta u takua me familjarët e katër heronjve të demokracisë si dhe me drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës “2 Prilli”.

Top Channel