Makinat në rrugë pa kolaudim/ Shtyhet edhe 30 ditë kontrolli teknik i automjeteve, ligji po vonohet në Kuvend

02/04/2021 15:30

Vonesat e Kuvendit për miratimin e ri të kodit rrugor, kanë bërë që në rrugët e Shqipërisë të qarkullojnë me mijëra automjete të pa-kolauduara.

Ky proces ka ndaluar që prej muajit janar dhe situata do të vazhdojë e njëjtë edhe gjatë muajit prill. Por çfarë nënkupton kjo? Nuk është vetëm marrja e një vule në lejen e qarkullimit që shoferët i shpëtojnë gjobave, por prej tre muajsh nuk funksionon rregullatori shtetëror që duhet të ndalojë lëvizjen e automjeteve në një gjendje të keqe teknike apo që shkaktojnë ndotje. Që prej muajit janar, shoferët vetëm me këtë vulë mund të lëvizin edhe me makinën e pa-kolauduar.

Por si bëhet kjo shtyrje e kolaudimit? Përgjigjen e japin vet drejtuesit e automjeteve.

“Po duhet të vish pranë drejtorisë rajonale dhe të marrësh një vulë ne lejen e qarkullimit dhe me atë nuk të vendosin gjobë. Pra kolaudimin as policia rrugore nuk e kërkon më. Kërkon vetëm siguracionin”.

Tashmë nëse dikujt i ka mbaruar afati i vlefshmërisë prej 3 muajsh shtyrje në datë 1 ose 2 prill apo edhe kolaudimi nëse e ka bërë në prill të 2020-ës, do të duhet që të paraqiten në drejtoritë rajonale të transportit, për të marrë një tjetër vulë me një shtyrje një mujore.

Bllokimi i procesit të kolaudimit erdhi pasi që prej datës 1 janar të këtij viti, kontrolli teknik kaloi nga kompania private SGS përsëri shtetit pas 11 vitesh.

Ndërkaq, ndryshimet e reja të kodit rrugor që pritet të miratohen parashikojnë që mjetet e reja në 3 vitet e para nuk do të kryejnë kolaudimin, mjetet e përdorura do ta kryejnë atë çdo 2 vjet nga çdo vit që është aktualisht, ndërsa taksitë, ambulancat dhe autobusët do të bëjnë kolaudimin një herë në vit, nga çdo 6 muaj që parashikonte ligji aktual.

Ky ndryshim parashikon edhe ashpërsim të gjobave për drejtuesit e automjeteve, për përdorim të alkoolit, celularit, mos vendosje të rripit apo edhe tejkalim të shpejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA