Në një prej videove amatore të siguruara nga Marina Detare greke duket një motoskaf i saj që rrezikohet të përplaset me një anije turke që qëllimisht kalon shumë pranë.

Është një prej të paktën 6 incidenteve të raportuara nga pala greke që kanë ndodhur gjatë së premtes me anijet e rojeve bregdetare turke pranë ishullit grek të Lesbos në një kohë marrëdhëniesh përgjithësisht të acaruara  midis dy fqinjëve dhe aleatëve të NATO-s.

Sipas Athinës zyrtare , anijet patrulluese turke kanë shoqëruar  gomone të mbushura me emigrantë, ndërsa përpiqeshin të hynin në ujërat territoriale Greke dhe vetë ministri i Emigracionit i ka bërë thirrje Ankarasë të ndalojë provokimet, ndërsa nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet turke.

Notis Mitarakisi, Ministri Grek i Migracionit dhe Azilit: Roja bregdetare helene raportoi incidente të shumta nga Roja Bregdetare Turke dhe flotës detare që shoqëronin anije të lehta emigrantësh drejt kufirit evropian në një përpjekje për të provokuar një përshkallëzim me Greqinë. I bëjmë thirrje Turqisë të ndalojë këtë provokim të pajustifikuar, t’i kthejë këta migrantë të sigurt në Turqi dhe të zbatojë deklaratën e përbashkët të emigrimit BE-Turqi te vitit 2016 .

Turqia dhe Greqia kanë shkëmbyer prej kohësh akuza mbi çështjen e emigracionit dhe shpesh herë Ankaraja ka qenë ajo që ka akuzuar Athinën se roja bregdetare greke ka kryer të ashtuquajturat kthime-mbrapa të emigrantëve të paligjshëm që kanë arritur në territorin grek  pa i lejuar ata të kërkojnë azil.

Provokimi turk sipas Athinës vjen vetëm disa ditë para vizitës së planifikuar të ministrit të Jashtëm Nikos Dendias në Ankara dhe synon minimin e  dialogut. Burimet qeveritare theksojnë se vizita  do të bëhet vetëm nëse ndalen provokimet ,ndërsa ripërsërisin se preference kryesore për Greqinë është  mbrojtja e kufijve dhe e së drejtës ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA