Dy të rinj shpjegojnë mësime matematike, kimie dhe fizike, në kanalin e tyre në “Youtube”.
Të ftuar në emisionin “Shqipëria live”, Kristiani dhe Klajdi tregojnë se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë punë, pa pagesë, për të gjithë të rinjtë që duan t’i ndjekin. “Ne jemi mësuar me mësimet online. Kemi parë video leksione të ndryshme në anglisht. Menduam se duhet diçka e ngjashme dhe në shqip, sidomos tani që ka qenë karantinë, menduam se është koha e duhur. Nëpërmjet ‘youtube’ është shumë e thjeshtë të mësosh, mjafton internet”.
Në kanalin, që e kanë quajtur “2plus2” ata shpjegojnë mësime matematike, kimie dhe fizike, duke filluar nga ushtrimet bazë te ato më të vështira. “Përpiqemi që të jetë baza, por kemi dhe një rubrikë tjetër, me ushtrime pak më të vështira. Është kërkuar në fillim për olimpiadat dhe kemi vazhduar. Kemi filluar me ato që mësohen në shkollë, por, edhe ne kemi kënaqësinë tonë të merremi me gjëra të vështira”.
Ata thonë se këto video janë pritur shumë mirë, nuk kanë pasur kritika, madje i shohin dhe mësuesit. “Pothuajse gjithmonë videot janë pritur shumë mirë. Edhe mësuesit i kanë përdorur për nxënësit e tyre”.
Videot i regjistrojnë me telefon, ku Kristiani shpjegon kryesisht matematikën, ndërsa Klajdi kiminë dhe pjesën hyrëse të fizikës, mekanikën.
Djemtë tregojnë qëllimet për të ardhmen. “Synojmë që të bëhet platforma më e madhe ‘online’, në trevat shqipfolëse. Por duam të bëjmë më shumë, edhe me gjëra praktike, p.sh. një kurs fotografie. Duam që të vazhdojë të jetë falas për këdo”.
Top Channel