Pas vaksinimit të personave që punojnë në sektorët më të rrezikuar për t’u prekur nga Covid, autoritetet kinezë kanë vendosur vaksinimin në masë të të moshuarve mbi 60 vjeç.

Në Pekin dhe Shangai ka nisur ky proces, ndërkohë që vende të tjera si Turqia, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara të cilat po vaksinojnë të moshuarit me vaksina kineze kanë një ulje të numrit të të infektuarve edhe në moshat e mëdha.

Por ndërkohë që ky është një debat shkencor, në Shqipëri një politikan në pension e shikon këtë si mjet të luftës politike. Ish-kryeministri Sali Berisha në një koment në facebook shkruan: Stop vaksinës kineze te mbi 60 vjeçarët!

Ai flet për vdekje dhe akuzon Ramën dhe kërkon ndërprerjen e përdorimit të vaksinës kineze tek të moshuarit. Kjo thirrje në një moment të tillë, kur kërkohet me ngulm ulja sa më shpejt e infektimeve për të ndalur vdekjet, shkon në kah të kundër të këtij qëllimi. Covid i ka marrë jetën më së shumti të moshuarve dhe vaksinimi i tyre është mënyra më e mirë për t’i mbrojtur.

Si mjek ai me siguri ka dëgjuar dhe ka lexuar raportet e OBSH dhe komentet e shkencëtarëve për vaksinat por këto nuk i përmend.

Po përse e bën këtë thirrje për ndalimin e vaksinimit ish kryeministri? Problemi nuk është aspak vaksina kineze. Berisha të njëjtën thirrje bëri edhe për vaksinën astrazeneca kur erdhën një sasi e konsiderueshme.

Thirrja e tij nuk është shqetësim mjekësor, por shqetësim politik. Duke nxitur refuzimin e vaksinës, dhe për këtë plan ka zëra që i mbajnë iso, ai synon të ndikojë në zgjedhje. Sepse Berisha jep përshtypjen se çdo vaksinim e shikon si një votë pro Ramës dhe se nga e kundër do të ndihmonte partinë e tij në zgjedhje.

Top Channel