Administrata e presidentit brazilian Jair Bolsonaro është tronditur së fundmi nga shkarkimi i papritur i ministrit të mbrojtjes dhe dorëheqjet e mëpasshme të tre gjeneralëve të lartë të ushtrisë.
Komandantët e ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore të Brazilit raportohet se kanë dhënë dorëheqjen sot pas një takimi të tensionuar me ministrin e ri.
Ministria e mbrojtjes tha sot se drejtuesit e dorëhequr tre degëve kryesore të ushtrisë, Gjen. Edson Leal Pujol, Admiral Ilques Barbosa dhe lejtnant-Brig Antônio Carlos Bermudez, do të zëvendësohen, në atë që mediat quanin tërmet politik, në një kohë kur vendi përballet me pandeminë e koronavirusit.
E përditshmja Folha de São Paulo, shkruante se kjo nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e vendit prej mosmarrëveshjeve me presidentin.
Zhvillimi erdhi pasi presidenti i djathtë shkarkoi dje ministrin e mbrojtjes gjeneral Fernando Azevedo e Silva gjatë atij që mediat vendase përshkruanin si një “takim i akullt tre-minutësh”.
Gazetarja vendase Eliane Cantanhêde shkruante se Azevedo e Silva i kishte bërë të qartë presidentit se “forcat e armatosura ishin besnike ndaj kushtetutës” dhe jo forca personale e Bolsonaros.
Cantanhêde shkruante mes të tjerash: “Largimi i gjeneral Fernando tregon se ka një pjesë të madhe të forcave të armatosura që nuk pranojnë autoritarizmin”.
Herën e fundit që një drejtues ushtrie është shkarkuar në rrethana të tilla ishte në vitin 1977 kur gjenerali radikal Sílvio Frota u shkarkua pas tentativës për largimin nga posti të presidentit Ernesto Geisel, lideri ushtarak që qeverisi në vend nga 1964 deri 1985.
Top Channel