Top Story/ Rasti i gjyqtares Bernina Kondi, si përfitojnë gjyqtarët kreditë e buta të të pastreve

30/03/2021 23:42

Gjatë hetimit të pasurisë së gjyqtares Bernina Kondi, rezulton se familja e saj zotëron dy apartamente në Tiranë. Edhe pse me dy prona, ajo ka përfituar një kredi të butë si e pastrehë. Kjo është absurde, pasi kreditë e buta jepen për ata që nuk kanë një banesë, dhe jo për gjyqtarë me 2 apartamente.

Për një apartament në Tiranë të porositur në vitin 2004 në vlerën 39 mijë euro, Kondi ka deklaruar si burime dy kredi, një në vlerën 2.5 milionë lekë dhe tjetra 500 mijë lekë. Si dhe të ardhura nga shitja e dy librave të saj dhe ndihmë nga familja e origjinës.

Për kredinë 2.5 milionë lekë që ka shërbyer për shlyerjen e këstit të dytë, Komisioni ka konstatuar se ka pasur dy transaksione pa destinacion dhe përfitues. Ndërkohë që pagesat e shoqërisë ndërtuese nuk janë kryer nëpërmjet bankës. Për vlerën 1 milionë lekë të fituar nga shitja e dy librave të Kondit, KPK evidenton se nuk provohet pagesa e tatimit të fitimit.

Për blerjen e një apartamenti në vitin 2011 në Tiranë ka deklaruar si burime një kredi të butë në vlerën 5 milionë lekë të marrë në vitin 2010 dhe kursime familjare. Komisioni ka gjetur se kredia e butë e përfituar si e pastrehë ka shërbyer fillimisht për blerjen e një apartamenti në Berat në vlerën 6 milionë lekë.

Por disa muaj më vonë, është revokuar kontrata e shit-blerjes së apartamentit dhe me vlerën e kredisë së butë prej 5 milionë lekësh është plotësuar shuma 8.2 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Sipas komisionit kontrata për blerjen e apartamentit në Berat është fiktive me qëllim përfitimin e kredisë së butë, pasi edhe pagesat janë kryer në cash dhe jo nëpërmjet transaksioneve bankare.

Një tjetër problem i evidentuar në pasurinë e gjyqtares ishte një hua me vlerë 1.2 milionë lekësh, e marrë nga vajza e tezes me qëllim likujdimin e një kredie bankare. Sipas KPK-së, nga hetimi ka rezultuar se vajza e tezes së gjyqtares Kondi nuk ka pasur mundësi financiare nga burime të ligjshme për dhënien e kësaj huaje.

Në këto kushte Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Apelit, Bernina Kondi. KPK gjeti probleme në kriterin e pasurisë së gjyqtares. Sipas KPK gjyqtarja kishte mungesë të burimeve financiare në vlerën 1 milion lekë dhe nuk justifikonte gjendjen cash të bashkëshortit në shumën 2.5 milionë lekë të reja, shumë e deklaruar si një prej burimeve për blerjen e një apartamenti në vitin 2011.

Emisioni i plotë

Top Channel