Tavo bën kallëzim në Prokurori: Një individ ka përdorur emrin tim dhe ka ofruar para për të blerë votën në Gjirokastër

30/03/2021 14:44

Vangjel Tavo, kandidati për deputet që udhëheq listën e LSI në qarkun e Gjirokastrës ka bërë një kallëzim në prokurori ndaj një personi, i cili ka përdorur emrin e tij dhe ka shkuar në disa shtëpi banorësh duke ofruar para në këmbim të votës.

Tavo sqaron se ka bërë përshkrimin e personit në prokurori dhe hedh dyshimet se mund të jetë nga radhët e policisë dhe shton nuk i përket zonës së jugut. Tavo pretendon se ky person është kurdisur nga rilindja për shkak se ka bërë denoncim publik para disa ditësh se në Gjirokastër po blejnë vota me paratë e drogës dhe korrupsionit.

Tavo: Të nderuar banorë të qarkut të Gjirokastrës, dua t’ju informoj që dje bëra një kallëzim në Prokurorinë e Qarkut të Gjirokastrës dhe tashmë e denoncoj edhe publikisht para jush se një individ i kurdisur nga Rilindja ka shkuar në disa lagje dhe shtëpi banorësh duke përdorur emrin tim, duke u shtirur e gënjyer sikur është i dërguari im, duke pyetur banorët se kush janë familjet në nevojë që tu japë para për të blerë votën. Kaq poshtë ka rënë Rilindja dhe kaq të ligë e të paligjshëm janë sa kryejnë veprime kaq të ulëta e korruptive duke u përpjekur të minimizojnë humbjen e madhe që i prej më 25 prill.

Ky skandal vjen menjëherë pas denoncimit publik që bëra në media para disa ditësh që në Gjirokastër po blihet vota nga Rilindja me paratë e drogës dhe korrupsionit. Duan të blejnë votën dhe të ruajnë pushtetin edhe më gjatë që të shtypin me këmbë banorët dhe familjet e thjeshta të qarkut tonë që të varfërojnë, zhvasin qarkun tonë për të përmbushur misionin e tyre të ligë e dashakeq për të izoluar e shkatërruar totalisht qarkun e Gjirokastrës dhe për ta shndërruar në xhep gjeografik, xhep të përfitimeve të tyre me drogën dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Ministria e Brendshme, sic e shikoni të gjithë qytetarë të nderuar të qarkut tonë, ka zbarkuar me makina policie e foristrada që xhirojnë gomat në rrugët e Gjirokastrës duke vënë në shërbim të fushatës aparatin e policisë së shtetit në kundërshtim me ligjin dhe kodin zgjedhor. Këto veprim do t’i kishte zili edhe sigurimi i shtetit i regjimit totalitar.

Kanë frikë nga humbja e thellë që i pret ata me foristrada, por unë do t’i mund me këmbë. Në këmbë i kam takuar derë më derë dhe në këmbë do të vij gjithmonë për të ndarë hallet dhe shqetësimet me ju. Ju e dini mirë se kush i bën këto lojëra kaq të ulëta dhe thur skenare mashtrimi. Unë kam shkelur vetë në cdo rrugë, jam ulur në cdo familje dhe kemi ndarë bashkë çdo hall dhe çdo shqetësim, ndaj mos bini pre e mashtruesve rilindas që cojnë njerëz në emrin tim. Rilindasit nuk vijnë dot tek ju sepse nuk justifikojnë dot varfërinë që kanë shkaktuar. Mos bini pre e këtyre të mbaruarve dhe larguarve se së bashku do gëzojmë fitoren e madhe të 25 prillit.

Të gjithë bashkë, opozitarë dhe socialist të ndershëm, do punojmë për të hapur sa më shumë vende pune, të nxjerrim familjet e thjeshta nga varfëria dhe të zhvillojmë qarkun tonë. Ky është misioni e premtimi im. I bëj thirrje policisë së shtetit të distancohet nga skenarë të tillë provokimi e mashtrimi, i bëj thirrje prokurorisë që padinë time ta zbardhë sa më shpejt.

Edhe pak ditë na ndajnë nga fitorja e madhe.

Top Channel