Një studim i ri për artin shqiptar nga Rubens Shima, përqendrohet tek posteri i propagandës dhe historiku i tij.
I bazuar kryesisht në koleksione private por edhe shtetërore, ky libër është i pasuruar në rreth 150 postera të periudhave të ndryshme kohore.
“Periudha e parë është shfaqja e posterit në fillim të shekullit të XX në mënyrë sporadike dhe më pas të organizuar. Subjekti kryesor është figura e Skënderbeut. Momenti i dytë është momenti i monarkisë së Mbretit Zog dhe posteri përdoret për përhapjen e imazhit të autorizuar për sovranit. Momenti tjetër është pushtimi fashist, sepse këtu për herë të parë kemi ndërtimin e funksioneve propagandistike apo steriotipet e paraqitjes”, tha Rubens Shima.
Posteri është një alfabet pamor dhe ai ka funksionuar edhe në një kohë kur pjesa më e madhe e popullsisë ishte analfabete.
“Në posterin apo afishën e luftës, 43, 44. Forcat që synonin të merrnin pushtetin e postluftës përfshihen në një betejë shumë të madhe propagandistike. njëra palë përdor posterin. tjetra përdor traktin.Dhe në periudhën e fundit që është komunizmi kemi një përdorim të plotë të posterit në funksion të vendosjes së kontrollit të shtetit mbi individin”, tha ai.
Distancimi historik e ka bere Shimën të ketë një analizë të ftohtë se si ky mjet komunikimi ka ndikuar në jetën e njerëzve. Dhe vetë propaganda mos të merret në kuptimin e saj fillestar si diçka negative.
Ky botim realizohet me mbështetjen e ministrisë së kulturës.
Top Channel