Në kujtim të Arjan Salës, i cili humbi jetën pasi shpëtoi 25 persona në zjarrin e qendrës tregtare, xhaxhai flet për jetën e tij përtej punës.
Xhaxhai tregon se Arjan Sala ishte i vetmi që punonte dhe mbante ekonomikisht familjen. Ai thotë se ka rritur Arjanin, sepse prindërit e tij punonin dhe ishte shumë i afërt me të. Në “Shqipëria live”, tregon më shumë për djalin, që preku të gjithë shqiptarët.
“Kishte qejf futbollin, stolitë ushtarake, ishte i dhënë tej mase. Kishte shumë qejf t’i mblidhte. Edhe në puna kishte lidhje me pasionin për ushtrinë. Ka ndërruar disa kompani sigurimesh dhe kudo ku punonte, e respektonin të gjithë. Te qendra tregtare, kishte 5 vite që punonte. Drejtuesi i kompanisë thoshte kemi zënë rehat, se më parë kishte shumë probleme, por Arjani dinte t’i menaxhonte të gjitha”.
Ai tregon telefonatën e fundit me Arjanin. “Më tha xhaxha hajde, pse s’ke ardhur. Çdo fundjave e takonim me patjetër, shkonim te ‘Casa Italia’. I thashë frika nga pandemia, më tha po qe për të vdekur, nuk kemi çfarë të bëjmë, hajde. Por, nuk u bë…”
Xhxhai thotë, se sot, është krenar për nipin. “Kisha raport të veçantë me nipat, mundohem të jem shok me ta, doja të ndihesha si i ri me ta. Futesha me shokët e Arjanit, më prezantonte me mburrje. Unë sot, jam krenar për të”.
Arjani ishte babi i një fëmije 4 vjeç dhe sipas xhaxhit “donte fëmijë të tjerë por priste që të sistemohej më mirë…”
Miku i tij, Faik Basha, tregon se është rritur me Arjanin dhe “ai ka qenë gjithnjë aq zemërmirë, sa në ditën kur shpëtoi mbi 20 persona”. “Ka qenë i jashtëzakonshëm, i gatshëm gjithmonë për të ndihmuar të tjerët. Nuk është çdo gjë rastësi, është rritur në një familje të mrekullueshme. Punonte fort për atë pozicion që mbante. Kolegët thoshin që i zgjidhte të gjitha problemet vetë”.
32-vjeçari u nderua dje, në 29 mars, me certifikatën Dëshmor i Atdheut.
Top Channel