Deri më tani janë 100,000 qytetarë të vaksinuar në vendin tonë.

Shifrën e bën të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në Twitter, ku thotë se drita në fund të tunelit, po afrohet çdo ditë e më shpejt.

“100 mijë të vaksinuar deri sot. 100 mijë jetë më të mbrojtura. Çdo ditë e më shpejt po afrohet drita në fund të tunelit”, shkruan Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të procesit të vaksinimit në Laç , tha se synimi është që të bëhen 30 mijë vaksinime në ditë.

Sot u shënua dita e tretë e vaksinimit masiv në të gjithë vendin për moshat +70 dhe +75 vjeç, ndërsa për më të moshuarit vijon në të gjithë qendrat shëndetësore të vendit.

Sipas autoriteteve, objektivi është që brenda majit të jenë vaksinuar gjysmë milioni shqiptarë.

Ekspertja e të gjithë procesit të vaksinimit që po kryhet në vendin tonë siguron qytetarët se vaksina Sinovac ka të dhëna optimiste në lidhje me efektshmërinë në popullatë dhe ajo pritet të parakualifikohet dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë këto ditë.

Silva Bino: Kemi të dhëna në lidhje me efektshmërinë e vaksinës në Turqi, i cili është një vend që ka marrë pjesë në fazën e tretë të studimit para se të fillonte vaksinimin masiv dhe kemi të dhëna nga Brazili e disa vende të tjera. Sinovac i ka ofruar OBSH për të marrë parakualifikimin.

Sinovac mund të kryhet mbi moshën 18 vjeç e lart pasi vetëm Pfizer dhe Moderna ka nisur studimet për tu aplikuar edhe tek fëmijët. Antitrupat me Sinovac mund të krijohen brenda dhjetë ditëve të para pas dozës së parë, ndërkohë që doza e dytë mund të kryhet jo më afër se një muaj nga doza e parë por mund të shtyhet edhe më shumë. Për të katër vaksinat që janë në Shqipëri, pra Sinovac, Sputnik, Pfizer dhe AstraZeneca, Bino thotë se janë të efektshme ndaj Covid. Por me këto ritme të vaksinimit, kur Shqipëria mund t’i kthehet normalitetit?

Silva Bino: Ne jemi në garë me kohën për të vaksinuar sa më shumë, sidomos me dozën e parë, në mënyrë që të arrijmë një mbulesë të mirë vaksinave. Në qoftë se ne do të kemi këtë furnizim me vaksina, të cilat do të vijnë sipas marrëveshjeve në kohën e duhur, besojmë se deri në fund të qershorit të kemi të vaksinuar të paktën 40% të popullatës.

Duke qenë se synohet lehtësimi i turizmit në këtë sezon do të vaksinohen edhe ofruesit e shërbimeve, hoteleve dhe restoranteve.

FOTO GALERI
2/21

Top Channel