Rama flet për humbjen e Bashkim Finos: Kaloi një operacion të vështirë, nuk e përballoi dot Covidin

29/03/2021 13:13

Në familjen e të ndjerit Arjan Sala, ku i dha familjes certifikatën e Dëshmorit të Atdheut, kryeministri Edi Rama foli edhe për humbjen e deputetit socialist Bashkim Fino, ndërsa më vonë iu bashkuar edhe homazheve për të, bashke më bashkëshorten Linda Rama.

“Sot kemi dhe humbjen e shokut tonë Bashkim Fino. Ai kaloi një operacion të vështirë para disa kohësh dhe Covidin nuk e përballoi dot. Ishte i veçantë shumë. Shumë njeri i dashur, i butë. Çfarë t’i bësh. Të gjithë kemi ardhur për të ikur, jo për të ndejtur, varet çfarë gjurme lë”, tha Rama.

Më parë, kryeministri i tronditur nga humbja e papritur kryeministri njoftoi se aktivitetet elektorale do të ndalen në nderim e kujtim të Finos.

Në nderim të deputetit Bashkim Fino, sot, më 29 mars, nga ora 11:00-16:00,  do të organizohen homazhe në Pallatin e  Kongreseve. Përcjellja bëhet në orën 16:00.

Deputeti socialist, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ai ishte prekur nga COVID-19 prej disa ditësh dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar.

Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.

Karriera e tij politike në Partinë Socialiste është e hershme. Prej vitit 1997 e në vazhdim ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore.

Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.

FOTO GALERI
3/36

Top Channel