Humbi 6 familjarë/ Artistja shqiptare flet për tragjedinë e Otrantos: Të kujtojmë ata që ulërijnë në fund të detit

29/03/2021 10:33

Dhjetëra emigrantë shqiptarë humbën jetën në ngushticën e Otrantos rreth 24 vite më parë, më 28 mars.

Aso kohe, 81 persona humbën jetën në tragjedi, rreth 27 u konsideruan të zhdukur, ndërsa 34 të tjerë mbijetuan.

Aktorja dhe studiuesja e gjeopolitikës, Ermelinda Birçaj ka qenë nismëtare për organizimin e një projekti që mban emrin e anijes famëkeqe “Katër i Radës”, për të nderuar ata që humbën jetën teksa u nisën nga Porti i Vlorës në drejtim të Italisë.

Ky është edicioni i parë i këtij aktiviteti, i cili u bë realitet në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Teatrit në Itali. Ermelinda, e cila humbi 6 familjarë në këtë tragjedi ka rrëfyer në “Wake Up” se shkon të vizitojë varret e viktimave të tragjedisë së Otrantos.

“Në jetën time kam shumë kujtime. Katëri i Radës është aty para meje dhe e kam gjithmonë. Gjyshi më ka mësuar që e vogël që çdo të diel të shkojmë në varreza dhe të pastrojmë varret e braktisura dhe jo vetëm të familjarëve tonë.

Sa herë vij në Shqipëri në Shqipëri, në Vlorë, shkoj në varreza. Shkoj i takoj të gjithë të mbyturit e Otrantos, më vjen shumë keq. Më ka ardhur shumë keq para 5 viteve që i gjeta të braktisura varrezat. Memoria është gjë e rëndësishme, nuk duhet të lihen në atë gjendje varret. Të kujtojmë ata që nuk marrin dot frymë, ata që ulërijnë në fund të detit”, u shpreh Ermelinda, e cila ka ndërtuar familjen e saj me dy fëmijë dhe me bashkëshortin italian.

Top Channel