Hetimet për zjarrin/ Magazinieri: Flaka u bë e madhe, u thye një neon i vjetër! Ja çfarë deklaruan administratori dhe pronari i magazinës

29/03/2021 15:53

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dosjen për hetimet që po kryen prokuroria në lidhje me magazinën ku humbi jetën 32-vjeçari Arjan Sala.

Ata janë personat e parë që kanë konstatuar zjarrin janë dy punonjës të magazinës pasi po prisnin një kamion me mallra që do të vinte dhe do ta shkarkonin në magazinë. Por ata konstatuan tymin që dilte nga grilat nëntokëse dhe nxituan të fiknin zjarrin me bombol, por të rrezikuar nga asfiksia, dolën me vrap jashtë.

Në atë moment, vunë re një person të sigurisë së brendshme, i cili rezulton të jetë i ndjeri Arjan Sala, teksa po hynte në magazinë me një bombol të madhe në krah dhe që prej atij momenti nuk e kanë parë më duke dalë.

Magazinieri Ndriçim Kasa ka sqaruar para grupit hetimor se shkak i zjarrit ka qenë një dritë neoni i vjetër, ndërsa thekson se kolegu që kishte kamerat në telefon i njoftoi menjëherë se kishte rënë zjarr.

“Kolegu që ka kamerat në telefon na njoftoi se në magazinë ka rënë zjarr pasi kishte parë kamerat nga telefoni. Në këtë moment, zbritëm, pamë se po dilte tym dhe flakë në qendër të magazinës. Në këto kushte, morëm dy bombola fikëse zjarri që ishin në magazinë dhe u munduam të shuanim zjarrin, por gjatë shuarjes, flaka u bë më e madhe dhe u thye një neon. Pastaj u mbush gjithë ambienti në tym e flakë dhe ne dolëm jashtë. Duke dalë nga magazina pamë një person që hyri me një bombol të madhe zjarri për shuarje.

Personin nuk e njihnin, por pamë që ishte punonjës i brendshëm i sigurisë me kostum blu dhe këmishë. Unë dyshoj se zjarri mund të jetë shkaktuar nga energjia elektrike neone pasi kanë qenë të vjetra. Ne nuk e kishim stakuar energjinë elektrike pasi do të ktheheshim përsëri në magazinë për të shkarkuar mallin që do të vinte. Në ambientet e punës, absolutisht nuk lejohet cigarja dhe asnjë punëtor nuk pi cigare brenda magazinës”, tha Kasa, thuhet në dosjen që gazetarja Anila Hoxha disponon.

Ndërsa administratori A. H., i cili kishte me qera magazinën që u përfshi nga zjarri ka deklaruar se nuk ka qenë prezent në momentin e ngjarjes dhe është njoftuar nga punonjësit e tij. Sa i përket masave të sigurisë në raste zjarri, ai ia la përgjegjësinë qiradhënësit duke thënë se në magazinë kanë qenë të montuara një numër i konsiderueshëm bombolash anti zjarr.

Gjithashtu shton se vetë ai ka vendosur një bombol të madhe të lëvizshme, të cilën e ka marrë me qera dhe e ka vendosur në ambientet e magazinës.

Ndërkohë pronari i qendrës, në dosjen që disponon gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Pëllumb Alimadhi, i cili është edhe qiradhënësi i magazinës nuk ka dhënë detaje për ngjarjen pasi ishte i rënduar psikologjikisht dhe ka kërkuar një kohë tjetër që do të pyetet.

Grupi i hetimit thotë se pritet të përcaktohet nëse mungonin pajisjet anti zjarr për menaxhimin e flakëve që u vunë nën kontroll pas 3 ditësh dhe u nxor trupi i pajetë i Arjan Salës, i cili u shpall “Dëshmor Kombi” pasi bëri të mundur shpëtimin e rreth 25 punëtorëve nga magazina.

Top Channel