673 milionë euro hynë në Shqipëri nga emigrantët gjatë pandemisë, si ndikon në ekonomi? Ja çfarë thonë ekspertët

29/03/2021 16:33

Dërgesat e parave nga emigrantët shqiptare për të afërmit e tyre vijojnë të jenë të larta, edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Studimi i Bankës së Shqipërisë thotë se 673 milionë euro janë futur në Shiqpëri nga emigrantët tanë, me një tkurrje të lehtë prej 4%, në tre mujorin e dytë të pandemisë, në krahasim me vitin 2019.

Eksperti i ekonomisë, Armand Mala, i ftuar në “Shqipëria live”, bën një shpjegim të remitancave në vendin tonë. “Dërgesat e para kanë qenë në vitin 1992 dhe kanë ardhur në rritje deri në vitin 2008, kur arritën kulmin dhe më pas pati tkurrje. Kishin kaluar disa vite dhe filluan të ketë familjet e tyre në vendet ku emigruan dhe të kenë më shumë shpenzime vetjake. Në vitin 2013 filloi sërish të rritej, u shtuan tregjet e reja, Mbretëria e Madhe, Gjermania.

Sipas Bankës së Shqipërisë, 83% e familjeve mbështetet nga emigrantët. Bëhet fjalë për 10% të GDP-së, pra kanë ndikim të madh në ekonominë e vendit”.

Sociologu, Gëzim Tushi shpjegon pse qytetarët që emigrojnë vazhdojnë të ruajnë ‘traditën’ e dërgimit të parave. “Djemtë e vajzat nuk shkëputen nga familja, është autoritet i familjes shqiptare, ritmet e ndërprerjes së urave të komunikimit për familjen biologjike janë akoma të vogla. Sipas meje, problemet duhen parë në dialektikën e brendshme që kanë remitancat. Ata që kanë ikur në fillim, e dinë problemin e atyre që kanë lënë këtu. Por, më vonë, kur krijojnë familje andej, rriten shpenzimet e tyre”.

Silvana Begaj është pedagoge në Suedi dhe tregon se vazhdon t’i dërgojë të ardhura familjes së saj. “Nuk i kemi harruar hallet e familjes dhe kjo na bën që të mos i shkëpusim lidhjet, duhet t’i ndihmojmë. Është detyrim.  Isha në Shqipëri në kohën e pandemisë dhe pashë gjendjen, është jo vetëm detyrim moral, por domosdoshmëri”.

Aktualisht nuk ka krijuar familjen e saj në Suedi por thotë se edhe kur të kem familjen, “mund të ulet mundësia, por jo dëshira për të dërguar para”.

Armand Peza ka sipërmarrjen e tij në Shqipëri, edhe pse jeton jashtë vendit. Sipas tij, është traditë e jona që të dërgojmë të ardhura te të afërmit. “Jemi një popull tradicionalist. Mbase ata nuk na e kërkojnë kurrë, por ne jemi gjithmonë të gatshëm t’i ndihmojmë. Shumica prej tyre kanë ikur me lekët e prindërve dhe një ditë duhet t’ia kthejnë. Interesohemi që të dërgojmë, qoftë ilaçe, që mendojmë se janë më të mira se në Shqipëri”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA