Një koalicion i përbërë nga grupe për të drejta civile ka ngritur padi federale kundër ligjit të ri me kufizime mbi të drejtën e votës në shtetin amerikan të Xhorxhias, duke argumentuar se ligji i mbështetur nga republikanët ka për qëllim ta bëjë më të vështirë për banorët e këtij shteti, veçanërisht afrikano-amerikanët, për të marrë pjesë në votime.
Ndërkohë, Presidenti Joe Biden, i cili u bë në nëntor 2020 demokrati i parë në tre dekada që fiton zgjedhjet presidenciale në shtetin e Xhorxhias, akuzoi republikanët në këtë shtet dhe shtete të tjera për sulmin me fokus të gjerë ndaj të drejtave të votës.
Ndër kufizimet e shumta, ligji imponon kërkesa më të rrepta për identifikimin e votuesit, kufizon numrin e pikave ku votuesit mund të hedhin votën, u jep ligjvënësve shtetërorë fuqinë për të marrë nën kontroll zgjedhjet lokale dhe shkurton periudhën e votimeve të hershme për të gjitha balotazhet. Po në bazë të ndryshimeve, konsiderohet shkelje ligjore nëse dikush u ofron ushqim apo ujë votuesve që presin në radhë të hedhin votën.
Ligji ka alarmuar demokratët, të cilët vetëm disa muaj më parë festuan fitoret historike në zgjedhjet presidenciale dhe dy vendet e Senatit nga shteti Xhorxhia që ndihmuan për të çimentuar fitoren e demokratit Joe Biden dhe kontrollin e Senatit nga demokratët.
“Është skandaloze,” tha në komentet për shtyp Presidenti Biden të premten, duke i krahasuar kufizimet me ligjet raciste që për dekada pengonin afrikano-amerikanët në ushtrimin e së drejtës së votës.
Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë legjin e mbështetur nga demokratët që do të kërkonte regjistrim automatik në listat e votuesve, zgjerimin e votimit në mungesë dhe zbutjen e ligjeve për dokumentet e identifikimit të votuesve. Deri tani, opozita republikane në Senatin e ndarë amerikan e ka penguar këtë përpjekje.
Padia kundër ligjit në Xhorxhia u paraqit nga projekti “New Georgia”, Fondi “Votuesit Afrikano-Amerikanë Kanë Vlerë” dhe organizata “Rise” në gjykatën federale në Atlanta disa orë pasi akti legjislativ hyri në fuqi. Juristi demokrat Marc Elias po përfaqëson grupet në këtë çështje ligjore.
“Këtyre dispozitava ligjore u mungon justifikimi për këtë barrë diskriminuese ndaj votës,” thuhet në aktpadi.
Presidenti Biden i cilësoi dispozitat “revoltuese” dhe “anti-amerikane”.
“Kemi një përgjegjësi morale dhe kushtetuese për të vepruar,” tha ai.
Edhe legjislaturat në shtete të tjera të kontrolluara nga republikanët po shqyrtojnë mundësinë për kufizime të tjera mbi qasjen tek vota, ndër to Florida dhe Arizona, pasi ish-Presidenti Trump ngriti pretendimin për manipulime në zgjedhje për humbjen e tij përballë demokratit Biden.
Top Channel