Përdhunoi 43-vjeçaren/ Arrestohet 20-vjeçari në Devoll, la shtatzënë gruan me aftësi të kufizuara

27/03/2021 20:13

Top Channel ka siguruar pamjet nga banesa ku jetonte 20 vjeçari Klajdi Karuni i arrestuar një ditë më parë pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një 43 vjeçare me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor në fshatin Miras.

Ngjarja e rëndë u zbulua pas një vizitë mjekësore që ju bë 43 vjeçares në spitalin e Bilishtit ku ajo rezultoi se ishte në muajin e 6 të shtatzënisë.

43 vjeçarja L. D jetonte me të afërmit e saj ndërsa për shkak të problemeve të shëndetit mendor mbetet e paqartë se në çfarë rrethanash ka ndodhur abuzimi seksual me të.

Por nga ana tjetër familjarët e 20 vjeçarit i cili jetonte me nënën e tij dhe bashkëshorten me të cilën ishte martuar vetëm 2 muaj më parë hedhin poshtë këto akuza ndërsa kërkojnë që të kryhet analiza e ADN.

Banorët e fshatit por edhe të afërmit pohojnë se mes dy familjeve kishte hyrje dalje si bashkëfshatarë. Por nga përtej derës së shtëpisë ku jeton 43 vjeçarja familjarët të cilët kujdesen për të kanë refuzuar të flasin duke deklaruar se gjithçka e kanë thënë për policinë dhe presin që të veprojë kjo e fundit.

Top Channel