“Nuk e prisja të arrija në këtë standard”/ Rama takon sipërmarrësit e agroturizmit në Shijak

27/03/2021 15:40

Agroturizmi po kthehet në një brand të fshatit shqiptar dhe është e ardhmja e ekonomisë rurale në vend. Është kthyer në një mundësi të fuqishme jo vetëm punësimi, por edhe tregu për produktet bujqësore të njerëzve të lidhur me tokën në fshat.

Në një bisedë që Kryeministri pati me sipërmarrës të kësaj fushe në ambientet e agrobiznesit në Shijak, janë vetë këta që shprehen të kënaqur me ecurinë e bujtinave të tyre, por ajo që edhe ata theksuan është fakti se ky model ka përfshirë në zinxhirin e vlerës edhe një numër të madh fermerësh të zonës, prej të cilëve furnizohen me produkte bio të zonës. Madje ky model po tërheq gjithnjë e më shumë edhe të rinjtë, të cilët po angazhohen në ndërtime serash apo fermash bujqësore. “Kjo dallëndyshe e parë e kësaj zone të mrekullueshme, që ka futur agroturizmin në zonë, – shprehet Kryeministri, – është edhe një kontribut i madh për modelin që ne po krijojmë. Ke qenë skeptik në fillim, kur të nxitëm ta nisje dhe ja ku je sot”.

Zona kodrinore, lumi Erzen, këto karakteristika natyrore të zonës, gërshetuar me punën e palodhur për ngritjen e vreshtave, produktet bio janë elementët e suksesit të zonës. “Tashmë është bërë pjesë e punës sonë edhe ardhja e të huajve. Nuk e prisja të arrija në këtë standard, në kaq pak kohë, një zinxhir të lidhur me biznesin që ka sjellë edhe një frymë e re që po nxit edhe të rinjtë të afrohen me tokën”, – thotë sipërmarrësi. Vetëm në këtë zonë kanë 50 familje që merren me kultivimin në sera.

Duke e kuptuar vlerën e tokës, një i ri thotë se ka ndërtuar 5 dynym sera. Është një trend që po përfshin edhe shumë familje në emigracion të kthehem për t’u marrë me tokën apo shtëpinë e tyre. “Ata të rinj që e kanë kuptuar këtë, në një periudhën 5-10 vjeçare do të jenë në një nivel komplet tjetër dhe do tërheqin edhe shumë të tjerë. Ne kemi bërë edhe një lehtësim për marrjen e punëtorëve nga jashtë. Ka ardhur edhe tek ne kjo kohë. Po të shohësh të gjitha shtetet turistike që kemi afër kanë punëtorë të huaj plot. Këtu ka mundësi për t’i futur edhe në punë të tjera”, – shprehet Kryeministri.

Agroturizmi do të vazhdojë të jetë një trend në turizëm dhe Kryeministri i nxit të hartojnë plane investimi për të cilat do të kenë edhe mbështetjen nga skemat e financimit përmes AZHBR-së. Gjithashtu, rritja e pagës minimale, e cila ende nuk mjafton dhe do të vazhdojë të rritet, është një masë, thekson Kryeministri, që i kthehet edhe biznesit, pasi punëtorët janë më të motivuar. Një tjetër mbështetje vjen edhe nga programi i qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës rurale, e cila do të shtrihet edhe në rrugët e fshatrave.

Top Channel