Shpëtoi 25 persona nga zjarri në qendrën tregtare, pas 45 orësh, ende asnjë shenjë nga Arjan Sala

26/03/2021 13:43

Arjan Sala ishte në krye të detyrës, kur ra zjarr në magazinën e nëndheshme të qendrës tregtare, dy ditë më parë.

Familjarët e 33-vjeçarit, gjatë gjithë kohës qëndrojnë në hyrjen e objektit, në pritje të njoftimeve për të. Xhaxhai i Arjanit, flet për gazetarin e “Shqipëria live”. Ai ngre dyshimet se në godinë, nuk kishte plan evakuimi për rastet emergjente. “A ka pasur dalje emergjence, a ka pasur tavani ato që funksionojnë me ujë, nuk ka pasur fare. Të hetohet. Nuk e çanë murin, elektrikun e kemi sjellë ne nga shtëpia”.

Xhaxhai tregon se Arjani ishte i martuar dhe ishte babai i një fëmije 2 vjeç. “Kjo është tragjedi e madhe,  të paktën të kemi trupin, se pas kaq kohësh nuk po shpresojmë më…

Shemsi Prençi, drejtor i emergjencave civile, thotë se duhej një organizim më i mirë për një rast të tillë. “Atje është vetëm përgjegjësi i zjarrfikses së Tiranës, ndërkohë që atje duhet të ishte i gjithë shteti tani.  Atje është një magazinë shumë e madhe, nuk mjafton vetëm uji. Duhet të kishte sasi të madhe të shkumës që të izolonte zjarrin. Bëhet fjalë për një magazinë të nëndheshme

Vetë biznesi duhet të kishte 50 bombola 50 litërshe për të fikur zjarrin, duhet hartuar një plan i mirëfilltë emergjence. Shumica e bizneseve nuk i kanë këto gjëra, është neglizhuar për vite me radhë. Kemi ligj të dobët në këtë aspekt”, thotë Prençi për ‘Shqipëria live”.

Sipas tij, ende nuk kanë filluar kërkimet për Arjanin. “Për shkak të temperaturave shumë të larta, nuk bëhet dot kërkimi i tij. Nën dhe, temperaturat kalojnë disa qindra gradë, për shkak të lëndëve që digjen”.

Ai thotë se roja duhet të shpallet heroi, pasi sakrifikoi veten për të shpëtuar punonjësit e tjerë të qendrës tregtare.

Familjarët e 33-vjeçarit, patën një përplasje me përgjegjësin e zjarrfikses. “Nuk po ju pengojmë, po e qajmë te rruga, e vlerësojmë mundimin tonë por kjo është dhimbje e madhe. Ti po rrezikon jetën pa asnjë paisje, si do ta shpëtosh jetën e djalit tim“, thotë xhaxhai, duke theksuar se, sipas tij, nuk po përdoren mjetet e duhura.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa shpjegon se mbrojta nga zjarri nuk vlerësohet sa dhe si duhet. “Qendra të tilla tregtare, që krijojnë magazina nën tokë për mallrat e tyre është shumë e vështirë. duhet të kishte fikse zjarri, impiante uji, plan emergjence”.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA