Zhdukja e dhjetëra hektarë tokë bujqësore në Rreth i Epërm në Mirditë ka ngritur alarmin te banorët e zonës. Ata ankohen se nga erozioni i lumit Fan po u rrezikohen banesat, ndaj kërkojnë ndërhyrje për të shmangur situatën kritike.
Prej shumë kohësh Lumi Fan ka gërryer siperfaqe të mëdha tokash në brigjet e tij duke iu afruar edhe banesave në fshatin Rreth i Epërm. Banorët e zonës thonë se ky fenomen ka filluar para disa vitesh, kur firma që ka kryer punimet e Rrugës së Kombit, të gjitha inertet që nxirrte i hidhte në lum, duke ngushtuar ndjeshëm seksionin e lumit Fan. Me shirat e rëna ditët e fundit gjendja është përkeqësuar edhe më shumë.
Prej 10 vitesh banorët tregojnë se janë ankuar në instanca të ndryshme,duke dërguar kërkesa pranë Kryeministrisë, Ministrisë së Energjitikës dhe Industrisë, Ministrisë së Transportit dhe Infrakstrukturës, prefekturës dhe bashkisë , por që asnjëra prej tyre nuk u ka dhënë përgjigje për të zgjidhur situatën. E vetmja që gjë kanë bërë institucionet është delegimi i përgjegjësisë njëra tjetrës.
Fiks fare sëbashku me banorët iu drejtuan Bashkisë Mirditë për të marrë një informacion në lidhje me situatën.
Nënkryetarja e bashkisë pohon se situata është e agravuar, por nga ana e bashkisë është nisur studimi për rregullimin e saj në Ministrinë e Bujqësisë. “Dua t’u them se na është kthyer përgjigje se është aprovuar projekti dhe është miratuar dhe investimi i cili do të fillojë këtë vit e mbikqyruar nga Drejtoria e Ujrave dhe Kullimit Lezhë” përfundon nënkryetarja e Bashkisë Mirditë.
Top Channel