Shtetet e Bashkuara kanë ftuar liderët e Kinës dhe Rusisë që të marrin pjesë në samitin global për ndryshimet klimatike, që do të mbahet në prill, ka thënë të premten presidenti amerikan Joe Biden.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin gjenden në mesin e 40 liderëve botërorë, që janë ftuar në samitin e 22-23 prillit, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.
Biden u ka thënë gazetarëve se ende nuk ka folur me këta dy liderë, mirëpo “ata e dinë se janë të ftuar”.
Samiti i Bidenit për ndryshime klimatike është pjesë e përpjekjeve të tij për të renditur ndryshimet klimatike si prioritet në udhëheqësinë e tij.
Samiti do të organizohet në mënyrë virtuale, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ndryshimet klimatike përbëjnë temë që zyrtarët amerikanë besojnë se është e mundshme të bëhet biznes me Rusinë dhe Kinën, pavarësisht dallimeve të thella në shumë aspekte tjera.
Në konferencën e parë para gazetarëve, prej kur ka nisur mandatin e presidentit, Biden ka thënë më 25 mars se Xi dhe Putin janë mbështetës të autokracisë.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë është thënë se qëllimi i samitit dhe një organizimi tjetër, që pritet të mbahet në qytetin skocez Glasgow, është që të kufizohet ngrohja globale në 1.5 gradë Celsius./Rel/
Top Channel