Ditën e sotme Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Të gjithë kandidatët për deputetë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe janë kujdesur që të respektojnë masat ndaj koronavirusit.
Rama ka ironizuar fjalën e Bashës si dhe i ka bërë thirrje njerëzve që të shohin ndryshimin mes dy kartolina në një kohë kur të gjithë po përpiqen të ruhen ndaj Covid-19.
Rama: Kush duron tani dhe sa të mbarojë ky që kur fillon flet nuk mbaron. Megjithatë, prandaj jemi bashkë, edhe pse në këtë rast unë jam në këmbë duke lëvizur, kurse ju do të qëndroni ulur pa lëvizur. Sot, ne nisim në fakt fundin e një fushate që nuk ka ndaluar në asnjë moment qysh nga dita që kemi marrë mandatin tonë të parë. Ndryshe nga ç’ndodhte në të shkuarën, ne që prej ditës së parë kemi qenë në lëvizje të vazhdueshme dhe në përpjekje të vazhdueshme pa pushim.
Sot zyrtarisht nis fushata e zgjedhjeve të 25 prillit dhe ne jemi këtu të gjithë së bashku për të respektuar me mish e me shpirt këtë moment ku demokracia na imponon të dalim para popullit. Themi çfarë mendojmë se kemi bërë dhe të ndajmë me njerëzit atë që besojmë se do bëjmë dhe në një moment si ky, ne që jemi mësuar të kalojmë përmes këtyre detyrimeve që janë dhe një nga pjesët më të bukura të jetës politike kur je me njerëzit dhe së bashku me ta ndan energjinë e madhe që prodhon një ndeshje. Jemi faktikisht çuditshëm sepse e tillë është koha dhe ndryshe nga herët e tjera jemi këtu duke bërë përpjekjen tonë serioze, ndërkohë që bëjmë detyrën, të respektojmë dhe rregullat e kësaj kohe.
Uroj që në pjesën tjetër të jetës tonë që vjen, ta shohim si një moment që na jep mundësinë të bëjmë një fushatë ku flasim dhe dëgjohemi e fjala peshon më tepër se gjuajtja e saj përballë një turme të madhe dhe njerëzve u jepet mundësia që të ndjekim me kujdes e qetësi ata që themi.
Është një sfidë e gjitha kjo dhe besoj që kemi mundësinë të bëjmë një dallim të madh, të cilin po e bëjmë dhe sonte. Praktikisht, ne dhe ata u kemi bërë para syve njerëzve dy kartolina, në një ekran televizori të ndarë dhe mjafton të shohësh dy kartolina për të kuptuar ndryshimin e madh, hendekun e jashtëzakonshëm që ndan ne dhe ata në mënyrën tonë të të qenit dhe në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe me shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat që i kemi vënë së bashku dhe i kemi pranuar dhe që mbi të gjitha njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i kanë pranuar dhe zbatuar përditë.
Ndërkohë që atje nuk ka respekt për shtetin, nuk ka respekt për ligjin, për rregullat, për njerëzit. Kjo është fytyra e fushatës sonë. Fytyra e fushatës së tyre është krejt tjetër. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore, familjare. Atje sundon papërgjegjshmëria në atë kartolinën e tyre. Këtu shëndeti i të gjithë njerëzve është mbi gjithçka tjetër dhe mbi partinë patjetër, ndërsa atje, partia është dhe mbi shëndetin e njerëzve.
Top Channel